“Kuarteti në Karantinë”, familja që shkëlqeu në pandemi

Amerika

“Kuarteti në Karantinë”, familja që shkëlqeu në pandemi

Më: 31 janar 2021 Në ora: 20:22
“Kuarteti në Karantinë”, familja që shkëlqeu në pandemi

Një familje prej katër anëtarësh në Bruklin të Nju Jorkut gjeti një mënyrë produktive për të shfrytëzuar sa më shumë kohën që kalonte gjatë izolimit për COVID-19. Për 300 ditë radhazi ata postonin video humoristike të shoqëruara me muzikën e tyre.

Për të argëtuar fëmijet gjatë masave të rrepta izoluese të qytetit të Nju Jorkut dhe për të kaluar pa u mërzitur javët e gjata në shtëpi, Jason Hochman, propozoi krijimin e një grupi muzikor familjar me emrin “Kuarteti në Karantinë”.

“Ne kishim një faqe instagrami për fëmijët me pesëdhjetë ndjekës. Pastaj menduan t’ia ndryshojmë emrin në “Kuarteti i Karantinës” dhe vendosëm të postojmë video çdo ditë”, tregon Elysa Hochman.

“Isha shumë i zënë para pandemisë saqë nganjëherë fëmijët i shihja tre ose edhe një herë në javë”, tha Jason Hochman.

Kur filloi pandemia, Noah ishte nëntë ndërsa Joseph 11 vjeç. Të frymëzuar nga prindërit, fëmijët dinin të krijonin melodi të thjeshta me kitarë.

”U desh një pandemi që të luajmë të gjithë së bashku”, thotë Joseph Hochman.

Pasi kuptuan se pandemia nuk do të kalonte shpejt, familja e ktheu këtë hobi në shfaqje. Ata luanin gjithandej në shtëpi, me veshje festive dhe duke shijuar gjithë procesin.

Me kalimin e kohës, fëmijët luanin mirë e më mirë ndërsa repertori i kuartetit rritej. Edhe ndjekësit në Instagram po rriteshin.

“Nuk prisja të bëhem yll! Mendova se do të shtonim pesëdhjetë ndjekës…”, tha Noah Hochman.

“Papritur, arritëm 100 mijë ndjekës, që ishte diçka e pabesueshme”, tregon Joseph Hochman,.

Çdo dhjetë ditë, familja bëhej gati dhe jepte koncerte virtuale. Papritur, muzikantë nga shumë vende të botës që nga Kongo e Siberia e Rusisë, filluan të kërkojnë nga familja të bëhen pjesë e koncerteve

“Janë interesante lidhjet globale që po bëjmë me ndjekës dhe mbështetës, duke marrë komente nga njerëz në të gjitha vendet e botës si Bahreini, Rusia, Irani, Indonezia, Argjentina, Brazili dhe Kanadaja”, tha Jason Hochman.

Për familjen Hochman improvizimi i kuartetit nuk ishte vetëm kalim kohe. U bë për dashuri dhe kreativitet por dhe për lirinë kur ajo të mungon.

“Ne dëgjojmë njëri tjetrin, e ndjejmë njëri tjetrin përmes muzikës dhe mendoj se kjo na forcoi si familje e cila vështirë se mund të thyhet. Kjo tregon vlerat e familjes”, tha Elysa Hochman.

“Kjo pandemi ishte e tmerrshme, por jam mirënjohës, sepse kalova me fëmijët e mi 200 ditë. E di se tingëllon si çmenduri për shumë prindër, por për mua është një dhuratë”, vazhdon Jason Hochman.

Postimi i fundit i familjes Hochman u publikua në faqen kryesore të instagramit me 380 milionë ndjekës me mbishkrimin “një familje që luan së bashku, arrijnë suksesin së bashku”./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat