A do të publikohet regjistri i vizitorëve të Shtëpisë së Bardhë?

Amerika

A do të publikohet regjistri i vizitorëve të Shtëpisë së Bardhë?

Më: 2 shkurt 2021 Në ora: 23:16
Shtëpia e Bardhë

Shtëpia e Bardhë tha të martën se do të shikojë nëse mund të bëjë publike regjistrat e vizitorëve gjatë administratës së ish-Presidentit Donald Trump, një hap që do të ishte në përputhje me zotimin e administratës Biden për të publikuar regjistrin e vet.

Regjistrat shënojnë emrat e atyre që vizitojnë presidentin dhe stafin e tij për punë zyrtare dhe i mundësojnë publikut të dijë se cilët lobistë, donatorë politikë dhe të tjerë kanë qasje te shefi ekzekutiv dhe ndihmësit e tij.

Regjistrat u bënë një mollë sherri në vitin 2017, kur administrata Trump tha se nuk do t'i publikonte ato. Ajo i mbajti private regjistrat e vizitorëve në zyrat e Shtëpisë së Bardhë dhe ky vendim u bë shkak për padi gjyqësore për mungesë transparence.

Më vonë, në vitin 2018 administrata Trump zgjidhi me mirëkuptim një proces gjyqësor, me vendimin për të lejuar botimin mujor të regjistrave të vizitorëve për disa zyra të Shtëpisë së Bardhë, përfshirë Zyrën e Menaxhimit dhe Buxhetit.

I pyetur në lidhje me regjistrat në konferencën e saj të përditshme, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki tha: "Nuk kam pasur rast për të folur me ekipin tonë nëse ne kemi qasje tek regjistrat. Ne padyshim e dimë se çfarë informacioni lënë aty njerëzit që vijnë për të vizituar dhe jemi në gjendje ta publikojmë atë gjatë muajve të ardhshëm".

Zonja Psaki i bëri komentet në përgjigje të një pyetjeje, nëse regjistrat mund të tregonin që ndonjë nga protestuesit të cilët sulmuan Kapitolin më 6 janar vizitoi Shtëpinë e Bardhë në ditët para sulmit.

Ajo tha se aktualisht, shumica e vizitave në Shtëpinë e Bardhë po bëhen virtualisht dhe se nuk ekzistojnë plane për të publikuar regjistra vizitorësh virtualë.

Praktika për të publikuar regjstrat e vizitorëve u miratua së pari nga Presidenti Barack Obama, i cili publikoi vullnetarisht emrat e më shumë se 6 milionë vizitorëve të Shtëpisë së Bardhë./Voa/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat