Prova të reja në gjyqin kundër ish policit të akuzuar për vrasjen e George Floyd

Amerika

Prova të reja në gjyqin kundër ish policit të akuzuar për vrasjen e George Floyd

Më: 1 prill 2021 Në ora: 19:01
Derek Chauvin

Gjyqi ndaj ish oficerit të policisë Derek Chauvin, të akuzuar për vdekjen e afro-amerikanit George Floyd, vazhdoi për të tretën ditë në shtetin e Minesotës. Dëshmitarë të tjerë në gjyq përshkruan momentet e fundit të zotit Floyd.

Në sallën e gjyqit në Minnesota u luajtën pamjet nga kamerat e sigurisë të momenteve të fundit të George Floyd-it ndërsa prokurorët shpjegonin rrjedhën e ngjarjeve që çuan në vdekjen e tij.

Dita e tretë e gjykimit të ish policit Derek Chauvin solli dëshmi emocionuese nga disa dëshmitarë. Charles McMillian tha se ndihej i pafuqishëm teksa qetësonte Floydin ndërsa oficerët përpiqeshin ta fusnin në pjesën e pasme të makinës së policisë.

“Mundohesha t’i shpjegoja se kur bën një gabim, sapo të të vihen prangat harroje klaustrofobinë, duhet të shkosh me ta”, tha dëshmitari.

Disa minuta para përballjes me policinë, George Floydi shihet brenda një dyqani ku bleu cigare me 20 dollarë që dyshohet se ishin të falsifikuara.

Christopher Martin, punonjës i dyqanit, dëshmoi se zoti Floyd ishte miqësor por nën ndikimin e drogave.

“E pyeta nëse luante bejsboll, ai u përgjigj por iu desh pak kohë për të thënë atë që donte. Dukej se ishte nën ndikim“, tha dëshmitari.

Autopsia vërtetoi praninë e fentanilit dhe metamfetaminës në gjakun e zotit Floyd ndësa avokatët e ish-policit Chauvin argumentuan se përdorimi i drogave kishte patur ndikim në shëndetin e tij.

"Ju treguat se ai kishte vështirësi për fjalë të caktuara”, tha avokati Nelson.

“Saktë, ai përpiqej të thoshte fjalët”, tha dëshmitari Martin.

Pasi mori paratë që dyshohen se ishin false, zoti Martin tha se njoftoi menaxherin. Pasi u përball me zotin Floyd, ai thirri policinë. Ndërsa seanca vazhdonte, dëshmitari tregoi se e brente një ndjesi faji.

"Nëse nuk do t’i merrja paratë, kjo do të shmangej", tha dëshmitari.

Gjatë tre ditëve të fundit, dëshmitarë nga vendi i ngjarjes përfshirë adoleshentë, përshkruan para trupit gjykues se sa tronditëse ishte të shihnin vuajtjet e Floydit ndërsa kishte kokën nën gjurin e policit.

Ky rast nxiti protesta në mbarë botën kundër dhunës policore ndaj afrikano-amerikanëve. Gjyqi pritet të zgjasë disa javë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat