SHBA, kostot e arsimit të lartë po i falimentojnë studentët

Amerika

SHBA, kostot e arsimit të lartë po i falimentojnë studentët

Më: 11 prill 2021 Në ora: 19:56
Foto

Kostoja e arsimit universitar në Shtetet e Bashkuara vazhdon të jetë në nivel rekord, me çmime edhe më të larta për studentët e huaj. Politikanët amerikanë që po shqyrtojnë të ardhmen e arsimit të lartë pas pandemisë, thonë se trajtimi i çështjes së kostos është thelbësor për studentët dhe universitetet.

Duke qenë se klasat kaluan në internet për shumicën e kolegjeve dhe universiteteve amerikane, 2020-ta pati rritjen më të vogël të çmimit të mësimdhënies prej dekadash, sipas të dhënave të Byrosë së Statistikave të Punës të Shteteve të Bashkuara.

Megjithatë, arsimi vazhdon të jetë tepër i shtrenjtë.

"Kostot e kolegjit janë qartësisht tepër të larta dhe vazhdojnë të rriten. Thjesht nuk mund të vazhdojmë. Rritja e kostove të kolegjit, në nivelet e sotshme - po i falimenton studentët tanë", tha ligjvënësi republikan Greg Murphy.

Pagesa për mësimdhënien dhe pagesat e tjera janë edhe më të larta për studentët e huaj, të cilët zakonisht paguajnë çmimin e plotë që ndonjëherë e kalon shifrën 100 mijë dollarë në vit për kolegjet oseo universitetet. Ligjvënësit amerikanë vënë në dukje kostot shtesë me të cilat përballen studentët.

"Edhe përpara se të godiste pandemia e COVID-19, kishte shumë studentë që me vështirësi mbulonin kostot e nevojave bazë, si strehimi, ushqimi dhe kujdesi për fëmijët. COVID-19 i ka shtuar shumë këto vështirësi", thotë ligjvënësja demokrate Ilhan Omar.

Pandemia e COVID-19ës ndikoi tek mbi 1 milion studentë të huaj të regjistruar në Shtetet e Bashkuara vitin e kaluar. Shumë humbën strehën, punën dhe financimin kur kampuset u mbyllën marsin e kaluar.

"Jemi në vështirësi, qoftë për statusin e emigracionit, ose për vizat, nga ndryshimi i orës apo diferenca në gjuhë, por edhe ekonomikisht. Shkëmbimi i monedhave është faktor real. P.sh. për mua, një dollar amerikan është rreth tre mijë pesos", thotë Isabela Linares, studente ndërkombëtare nga Kolumbia.

Në disa raunde të paketave të ndihmës, Kongresi miratoi më shumë se 75 miliardë dollarë për institucionet e arsimit të lartë. Studentët e huaj të ndikuar rëndë nga pandemia thonë se ata gjithashtu kishin shpresa për një lehtësim ekonomik.

“Ishte e vështirë edhe marrja e ndihmës nga shtëpia, sepse prindërit tanë, familja jonë, miqtë tanë, ata gjithashtu u goditën rëndë nga COVID-i. Pastaj pamë që ndihma po vinte për studentët e tjerë, por për studentët e huaj nuk kishte asgjë. Kjo ishte vërtet e dhimbshme për ne”, thotë Osasu Osaze, student pasuniversitar nga Nigeria.

Ndërsa ndihma prej 75 miliardë dollarësh synon të ndihmojë shkollat të ruajnë operacionet, pagat dhe të përgatiten për rihapjen e sigurt, një pjesë do të shkojë tek studentët si ndihmë financiare emergjence. Analistët konservatorë të arsimit po bëjnë thirrje që Kongresi të monitorojë nga afër se si shpenzohen fondet e ndihmave.

“Kolegjet tani duhet të shfrytëzojnë rastin për t'u siguruar që ato para përdoren me përgjegjësi. Bordet e administrimit të kolegjeve duhet t'i udhëzojnë universitetet e tyre si të trajtojnë përparësitë e programeve dhe për të ri-investuar fondet në programe që avancojnë misionin e tyre kryesor, në vend që të vazhdojnë të angazhohen në një garë armatimesh për objekte dhe pajisje", thotë Lindsey Burke, nga Qendra e Fondacionit Heritage për Politikën e Arsimit.

Regjistrimi ka rënë në radhët e studentëve vendas dhe të huaj, kryesisht për shkak të COVID-it, por kostoja e arsimimit në Shtetet e Bashkuara është arsyeja numër 2. Politikanët e të dy krahëve pajtohen: Arsimi i lartë në Shtetet e Bashkuara ka nevojë të ngutshme për t'u reformuar. E ardhmja është ende e paqartë./VOA

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat