Departamenti i Drejtësisë fillon hetim ndaj policisë së Mineapolisit

Amerika

Departamenti i Drejtësisë fillon hetim ndaj policisë së Mineapolisit

Më: 21 prill 2021 Në ora: 21:30
Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara Merrick Garland

Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara Merrick Garland njoftoi fillimin e një hetimi në departamentin e policisë në qytetin e Mineapolisit, një ditë pasi ish-oficeri Derek Chauvin u shpall fajtor për vrasjen e George Floydit.

"Sot, po njoftoj se Departamenti i Drejtësisë ka hapur një hetim penal për të përcaktuar nëse Departamenti i Policisë së Minneapolis përdor një model apo praktikë antikushtetuese ose të paligjshme policore," tha kryeprokurori Garland të mërkurën në Departamentin e Drejtësisë.

Zoti Garland tha se hetimi i ri "është i ndarë dhe i pavarur nga hetimi penal federal" për vdekjen e zotit Floyd majin e kaluar që shkaktoi një valë protestash në Shtetet e Bashkuara dhe jashtë vendit kundër brutalitetit të policisë dhe racizmit në vend.

Zoti Floyd, një afrikano-amerikan, vdiq pasi ish oficeri Chauvin, i cili është i bardhë, vuri gjurin në pjesën e pasme të qafës së Floydit për rreth 9 minuta e gjysmë gjatë një arrestimi ndërsa Floydi u lut ta linte të merrte frymë.

Avokati mbrojtës i zotit Chauvin-it, Eric Nelson, rregullisht sugjeroi gjatë gjyqit se gjuri i ish oficerit Chauvin nuk ishte në qafën e Floydit për aq kohë sa thanë prokurorët, duke argumentuar se gjuri i tij ishte në të gjithë shpatullat, shpinën dhe krahun e Floydit.

"Shumica e oficerëve të forcave të zbatimit të ligjit në vendin tonë bëjnë punët e tyre të vështira me nder dhe sipas ligjit," tha zoti Garland. "Unë besoj fuqishëm se oficerët e mirë nuk duan të punojnë sipas sistemeve që lejojnë praktika të këqija".

Përveç rishikimit të praktikave policore të departamentit, hetimi do të vëzhgojë nëse ai përfshihet në sjellje diskriminuese dhe përgjigjet e departamentit ndaj akuzave për shkelje.

Departamenti i Drejtësisë filloi më parë një hetim nëse oficerët e përfshirë në vdekjen e Floydit shkelën të drejtat e tij civile.

Vendimi i kryeprokurorit Garland për të filluar hetimin e gjerë civil erdhi ndërsa Presidenti Joe Biden u zotua se administrata e tij do të vazhdojë të luftojë për reformën në polici dhe për ti dhënë fund racizmit sistematik./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat