Uashingtoni nxit banorët dhe vizitorët që të vaksinohen

Amerika

Uashingtoni nxit banorët dhe vizitorët që të vaksinohen

Më: 13 maj 2021 Në ora: 23:16
Uashington

Uashingtoni ka në plan të heqë shumë kufizime për koronavirusin dhe synon rihapjen e plotë nga mesi i qershorit. Në kryeqytetin amerikan tashmë janë vaksinuar më shumë se 70% e banorëve. Ju njohim tani me një aktivitet të veçantë vaksinimi në Uashington.

Është një mbrëmje e bukur maji në kompleksin REACH të Qendrës Kennedy, një objekt artesh skenike, ku njerëzit presin për t'u vaksinuar.

“Erdha për t’u vaksinuar dhe ishte mjaft e thjeshtë. Erdha këtu me biçikletë,” thotë Alberto.

Njerëzit mund të shijojnë edhe diçka ekstra kur vijnë këtu për vaksinimin, i cili është falas dhe pa rezervim paraprak. Pra, njerëzit vaksinohen dhe marrin një birrë falas, diçka që iu duk joshëse Jonathanit, i cili po viziton qytetin.

“Mësova për këtë nga një reklamë televizive para një ore kur isha në hotel. Unë udhëtoj shumë, prandaj e kam të vështirë të bëj rezervim për dy doza njëherësh. Këtu, pata mundësinë ta bëj vaksinën pa humbur kohë, madje të marr edhe një gotë birrë. Nuk është ide e keqe," thotë Jonathan, i cili ka ardhur në Uashington për punë.

Edhe atyre që nuk u intereson birra, joshen nga lehtësia e marrjes së vaksinës me një dozë të vetme Johnson & Johnson.

"Njerëzit ose e duan vaksinën ose nuk e duan, prandaj duke i joshur me birrë, kjo nuk mendoj se do të ndryshojë ndonjë gjë të madhe. Megjithatë, ne donim të shihnim qendrën REACH, prandaj erdhëm. Bëmë vaksinën, morën një birrë falas, plus është edhe ajri i pastër."

"Ata bënë një punë vërtet të mirë", thotë Susan Berzak, banore e Virxhinias.

Qeveria e Uashingtonit dhe një kompani birre e organizuan këtë ngjarje në bashkëpunim me Qendrën Kennedy.

“Birra është thjesht diçka ekstra kur merr vaksinën. U organizua shumë shpejt, brenda 48 orësh,” thotë Lashelle Davis, e kompanisë së birrës Solace.

Aktivitete vaksinimi si ky janë një përpjekje për të arritur objektivin e Presidentit Biden, imunizimin e 70% të popullsisë së rritur deri më 4 korrik.

"Ne kemi faqe interneti që ftojnë njerëzit për t’u vaksinuar sipas një kalendari, por bëjmë edhe aktivitete si ky që banorët ta dinë se vaksina është falas, bëhet lehtë dhe madje në forma argëtuese", thotë John Falcicchio, nënkryetar i bashkisë.

Punonjësit e kujdesit shëndetësor të qytetit që bënë regjistrimet, e quajtën aktivitetin një sukses.

“Në fillim nuk isha i sigurt për pjesëmarrjen, por ishte e shkëlqyer. Njerëzit mezi presin ta bëjnë vaksinën,” thotë Alexis Fearing, punonjës i kujdesit shëndetësor.

Këtë javë, Uashingtoni po i jep fund kufizimeve për restorantet, objektet e kultit, palestrat, pishinat, bibliotekat, dasmat dhe aktivitete të tjera. Kufizimet për mjediset e mëdha sportive dhe argëtuese pritet të hiqen muajin tjetër./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat