Mbërrin në SHBA grupi i parë i përkthyesve afganë me status të posaçëm

Amerika

Mbërrin në SHBA grupi i parë i përkthyesve afganë me status të posaçëm

Më: 30 korrik 2021 Në ora: 18:39
Afganët me status të posaçëm

Rreth 200 afganë që kualifikohen për statusin e imigrantit special (SIV) mbërritën me një avion special në Shtetet e Bashkuara të premten si pjesë e një operacioni për të evakuuar ata që i dhanë ndihmë qeverisë amerikane.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë e njoftuan Operacionin Refugjatët e Aleatëve më 14 korrik, duke thënë se do të evakuonin përkthyesit afganë dhe të tjerë që ndihmuan qeverinë amerikane gjatë luftës, së bashku me familjet e tyre, të cilët tani kanë frikë nga hakmarrja e talebanëve.

Zëvendës Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Russ Travers u tha gazetarëve se sjellja e tyre në SHBA "përmbush angazhimin e Shteteve të Bashkuara dhe nderon shërbimin e guximshëm të këtyre afganëve në ndihmën për të mbështetur misionin tonë".

Udhëtim drejt sigurisë

Zyrtarët amerikanë thanë se me udhëtimin e parë erdhën rreth 200 persona me statusin special SIV dhe anëtarët e familjes së tyre. Rreth 700 të tjerë që kanë përfunduar procesin do të evakuohen në javët e ardhshme.

Ata do të dërgohen në Fort Lee, një bazë ushtarake në Virxhinia, ku do të kalojnë rreth një javë duke iu nënshtruar kontrolleve mjekësore dhe duke përfunduar dokumentet para se të zhvendosen. Ata që kanë lidhje familjare do të vendosen pranë tyre, të tjerët do të sistemohen përmes Programit të Pranimeve të Refugjatëve të Departamentit të Shtetit.

Sipas Departamentit të Shtetit, grupi i parë i refugjatëve i është nënshtruar testimit për COVID-19. Nëse dikush teston pozitiv, ata do të karantinohen para udhëtimit.

"Ne kemi ofruar vaksina në Kabul për ata që janë të interesuar, dhe gjithashtu do t'i ofrojmë ato vaksina edhe në Fort Lee," tha Ambasadorja Tracey Jacobson me grupin koordinues të Departamentit të Shtetit për Afganistanin.

Vlerësohet se rreth 2,500 shtetas afganë të kualifikuar dhe ende të mbetur në Afganistan do të evakuohen përfundimisht në SHBA.

Përshpejtimi i evakuimit të afganëve është një përparësi, tha Karine Jean-Pierre, zëvendës sekretare e shtypit, gjatë një konferencë të enjten në Shtëpinë e Bardhë.

"Presidenti vendosi një objektiv të qartë. Ne do të fillojmë zhvendosjen e aplikantëve të kualifikuar dhe familjeve të tyre para fundit të këtij muaji," tha ajo.

"Kjo është një përpjekje e pandalur e qeverisë në mbarë botën, siç mund ta imagjinoni të gjithë, dhe ne synojmë të përmbushim synimin e presidentit".

Më shumë se 70,000 afganë, përfitues të statusit

Autorizimi origjinal për statusin e imigrantit special SIV u nënshkrua në ligj në vitin 2008 nga Presidenti i atëhershëm George W. Bush dhe kishte për qëllim t'u jepte qytetarëve irakianë siguri në Shtetet e Bashkuara. Që atëherë, qeveria ka vendosur më shumë se 70,000 afganë me statusin SIV në Shtetet e Bashkuara.

Departamenti i Shtetit thotë se të tjerët në rrezik të ndëshkimit talebanë - përfshirë udhëheqëset e të drejtave të grave, aktiviste, gazetarë, mbështetës të të drejtave të njeriut dhe të tjerë - mund të apelojnë në ambasadën amerikane në Kabul, e cila mund të bëjë rekomandime për Programin e Pranimit të Refugjatëve.

Programi i zhvendosjes SIV pritet të vazhdojë pasi trupat amerikane të përfundojnë tërheqjen e tyre nga lufta më e gjatë në historinë e vendit. Deri më 1 shtator, tha ushtria, trupat e mbetura amerikane në Afganistan pritet të përqendrohen në ruajtjen e Ambasadës Amerikane dhe aeroportit të Kabulit./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat