Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, e prekur nga COVID-19

Amerika

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, e prekur nga COVID-19

Më: 1 nëntor 2021 Në ora: 12:23
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, tha se doli pozitive në testin për COVID-19 të dielën, ndërsa theksoi se për herë të fundit është takuar me presidentin Joe Biden, të martën.

Zonja Psaki, 42 vjeçare, e cila deklaroi se ishte e vaksinuar dhe po përjetonte simptoma të buta, tha se me presidentin u ulën jashtë të martën, më shumë se 1.8 metra larg njëri-tjetrit dhe mbanin maska. Presidenti Biden doli negativ në testin për COVID-19 të shtunën, tha një person i afërt me situatën.

“Unë po e publikoj këtë njoftim për hir të transparencës”, tha zonja Psaki që është zëdhënësja kryesore e Shtëpisë së Bardhë dhe personi i profilit më të lartë në administratën e presidentit Biden që dihet se është prekur nga COVID-19, që kur ai mori detyrën në muajin janar.

Zonja Psaki vendosi të mos i bashkohet presidentit Biden në udhëtimin e tij në Romë dhe Glasgou këtë javë, sepse një anëtar i familjes së saj doli pozitiv në testin për virusin dhe për këtë arsye ajo u fut në karantinë.

Ajo është në karantinë që nga e mërkura dhe në mënyrë të përsëritur doli negative përpara se të dalë pozitive në testin për COVID-19 të dielën. Zonja Psaki planifikon të kthehet në punë pas karantinës 10 ditëshe.

Shtëpia e Bardhë po lufton të vërë nën kontroll pandeminë, me miliona amerikanë që refuzojnë të vaksinohen.

Zëdhënësja Psaki tha më herët gjatë vitit se presidenti Biden, i cili është plotësisht i vaksinuar, testohet çdo dy javë, me kërkesë të mjekut të tij, Kevin O'Connor. Presidenti Biden, 78 vjeç, ka marrë tri doza të vaksinës Pfizer Inc/BioNTech.

Shtëpia e Bardhë ka refuzuar të zbulojë numrin e infektimeve të reja me COVID-19, që kanë ndodhur në mesin e personelit.

Pararendësi i presidentit Biden, Donald Trump, shmangu përdorimin e maskës dhe nënçmoi seriozitetin e virusit në fazat e tij të hershme. Ai u prek nga COVID-19 në periudhën e fundit të fushatës për zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 dhe shumë nga pjesëtarët e personelit të tij, përfshirë ish-sekretaren e shtypit, Kayleigh McEnany, u prekën nga sëmundja./VOA

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat