Identifikohet rasti i parë i transmetimit në komunitet i variantit Omicron në ShBA

Amerika

Identifikohet rasti i parë i transmetimit në komunitet i variantit Omicron në ShBA

Më: 2 dhjetor 2021 Në ora: 21:20
ShBA

Rasti i parë i njohur i transmetimit në komunitet të variantit Omicron të koronavirusit në Shtetet e Bashkuara u identifikua në Minesota të enjten, tha departamenti i shëndetësisë i shtetit.

Shtetet e Bashkuara raportuan rastin e parë të variantit Omicron në Kaliforni të mërkurën, tek një person plotësisht i vaksinuar që kishte qenë në Afrikën e Jugut ku varianti i ri u zbulua për herë të parë muajin e kaluar.

Një ditë më pas, departamenti i shëndetit publik i Minesotës tha se një banor i infektuar me variantin Omicron, ishte një i rritur, plotësisht i vaksinuar, i cili kohët e fundit kishte udhëtuar në qytetin e Nju Jorkut.

Ai zhvilloi simptoma të lehta më 22 nëntor dhe bëri testimin përCOVID-19 më 24 nëntor, tha departamenti i shëndetësisë i shtetit, duke shtuar se simptomat e tij kishin kaluar.

Shkencëtarët po e studiojnë variantin Omicron, i cili është cilësuar si një variant shqetësues nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, për të zbuluar nëse është më i transmetueshëm apo më i rëndë se varianti Delta. Ata po analizojnë gjithashtu se sa efektive janë vaksinat aktuale ndaj tij.

Guvernatori i Minesotës, Tim Walz u kërkoi banorëve të vaksinohen dhe të mbajnë maska në ambjentet e brendshme.

"Ky lajm është shqetësues, por nuk është befasi," tha zoti Walz. "Ne e dimë se ky virus është shumë ngjitës dhe qarkullon me shpejtësi në të gjithë botën."

Personi që kishte virusin foli me ekspertët e Departamentit të Shëndetësisë të Minesotës dhe njoftoi se kishte qenë në Nju Jork nga 19 deri më 21 nëntor.

Epidemiologët e Minesotës do të vazhdojnë të bashkëpunojnë me qytetin e Nju Jorkut dhe Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

Guvernatori Walz tha se përgjigja më e mirë ndaj këtij varianti të zbuluar së fundmi është ajo që ka qenë e vlefshme gjatë gjithë pandemisë: vaksina për COVID-19./VOA

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat