Dy të arrestuar në Angli lidhur me pengmarrjen në Teksas

Amerika

Dy të arrestuar në Angli lidhur me pengmarrjen në Teksas

Më: 17 janar 2022 Në ora: 15:33
Foto ilustrim

Autoritetet amerikane dhe britanike po vazhdojnë hetimet për pengmarrjen e së shtunës në një Sinagogë të Teksasit. Byroja Federale e Hetimeve, FBI, lëshoi një deklaratë të dielën në mbrëmje duke e quajtur këtë një incident të lidhur me terrorizmin që kishte në shënjestër komunitetin hebre. Ndërkohë, policia angleze njoftoi se ka arrestuar dy persona lidhur me incidentin.

Policia kundër terrorizmit në Angli njoftoi se ka arrestuar dy adoleshentë lidhur me incidentin në Teksas, duke thënë se ata po mbahen në paraburgim për t’u intervistuar.

Kjo vjen ndërsa autoritetet amerikane identifikuan pengmarrësin si një shtetas britanik 44 vjeç, të quajtur Malik Faisal Akram, i cili u vra në vendngjarje.

Gjithçka ndodhi të shtunën në një sinagogë në Colleyville të Teksasit, ku policia tha se Akrami ndërpreu një shërbesë hebraike, duke marrë peng rabinin dhe tre persona të tjerë.

“Ai fliste për Izraelin, autoritetin palestinez, islamin dhe ishte i armatosur. Thoshte se ka një bombë në çantë. Ishte diçka e tmerrshme”, thotë një anëtare e sinagogës.

Pas gati 11 orësh, pengjet arritën të dalin nga një derë anësore.

Pengmarrësi u gjet i vdekur brenda sinagogës. Sipas të dhënave fillestare ai u qëllua nga forcat e sigurisë të angazhuara për lirimin e pengjeve.

Por për rabinin merita i takonte një trajnimi në Sinagogë për shpëtimin e jetëve të pengjeve. Ai tha se pa udhëzimet e marra, nuk do të ishin në përgatitur të vepronin e të largoheshin.

Gjatë pengmarrjes, Akram kishte kërkuar lirimin e terroristes së dënuar, Aafia Siddiqui.

E njohur si “gruaja al-kaida”, Siddiqui është një neuroshkencëtare nga Pakistani, e dënuar për komplotim të vrasjes së ushtarëve amerikanë në Afganistan. Ajo po vuan një dënim prej 86 vitesh në një burng jo shumë larg sinagogës.

Policia gjeti në vendngjarje një armë zjarri, ndërsa në çantën e Akramit nuk u gjet eksploziv.

Mësohet se pengmarrësi kishte hyrë në ShBA më 29 dhjetor me një vizë turistike. Vëllai i tij tha se ai ka vuajtur nga probleme të shëndetit mendor./VOA

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat