Sondazhi: Aborti, të drejtat e grave rriten si përparësi

Amerika

Sondazhi: Aborti, të drejtat e grave rriten si përparësi

Më: 1 korrik 2022 Në ora: 16:39
SHBA

Një sondazh i ri tregon se një përqindje në rritje e amerikanëve e shohin abortin, ose të drejtat e grave, si përparësi, pas vendimit të Gjykatës së Lartë, që rrëzoi një vendim të mëparshëm, që u garantonte grave të drejtën për abort. Me zgjedhjet për në Kongres, që po afrohen, presidenti Joe Biden dhe demokratët do të kërkojnë të përfitojnë nga ky ndryshim. Por me pesimizmin e përhapur dhe një mori krizash me të cilat përballet vendi, nuk është e qartë se çfarë ndikimi do të ketë vendimi i Gjykatës së Lartë, për zgjedhjet e nëntorit për në Kongres.

Sipas sondazhit nga Qendra Kërkimore për Çështjet Publike NORC dhe agjencia Associated Press, njëzet e dy për qind e votuesve në Shtetet e Bashkuara e shohin abortin dhe të drejtat e grave, si një nga pesë problemet me të cilat duhet të punojë qeveria. Kjo shifër është më shumë se dyfishuar që nga dhjetori, kur një sondazh tjetër gjeti një rritje të dukshme në përmendjen e abortit si përparësi, në pritje të vendimit të Gjykatës së Lartë.

Përmendja e abortit nuk shihet si përparësi vetëm tek amerikanët, që e mbështesin atë; në fakt sondazhi tregon se aborti shihet si përparësi mes amerikanëve me opinione të forta në të dyja anët e debatit – me rreth 30 për qind të amerikanëve që mendojnë se aborti duhet të jetë i ligjshëm në të gjitha rastet dhe rreth 10 për qind që thonë se aborti duhet të jetë i paligjshëm në të gjitha rastet.

Carol Tobias ka qenë presidente e Komisionit Kombëtar për të Drejtën e Jetës dhe e sheh rritjen e interesit në lidhje me abortin si inkurajuese për ata që kanë punuar për një kohë të gjatë për këtë çështje.

"Për të rinjtë, ata që janë në shkollë të mesme dhe kolegj, fotografia e parë si foshnje ka qënë gjatë kontrollit me ultratinguj dhe ata e kanë parë veten para se të lindnin. Kështu që nuk jam e befasuar që shohim aktivitete të shtuara nga të rinjtë për lëvizjen pro-jetës".

Sondazhi i ri, i cili përfshinte intervista të kryera përpara dhe pas vendimit të Gjykatës së Lartë, zbulon se përparësia për çështjen e abortit u rrit ndjeshëm pas vendimit.

Gjykata e Lartë e kaloi të drejtën e vendimmarrjes për abortin tek shtetet, dhe javën e fundit, guvernatorët dhe legjislaturat republikane kanë vepruar për të miratuar projektligje që ndalojnë ose kufizojnë abortet.

Sondazhi i kryer përpara vendimit, tregonte se shumica e amerikanëve, donin që gjykata ta linte çështjen Roe kundër Wade të pandryshuar. Shumica e amerikanëve mbështesin qasjen tek aborti në përgjithësi, megjithëse shumë thonë se duhet të ketë kufizime.

Roderick Hinton, i cili votoi për Joe Biden-in, e diskutoi çështjen e abortit dhe vendimet e ndryshme që do të marrin shtete të ndryshme me dy vajzat e tij të rritura.

"Mendoj se në të gjitha rrethanat, një grua duhet të ketë të drejtën për të marrë vendimin. Pavarësisht nëse është çështje kohe, parash, inçesti, përdhunimi, sido që të jetë puna. Në të njëjtën kohë, ka një pikë ku thjesht aborti nuk është i sigurt për shëndetin".

Presidenti Biden dhe demokratët janë zotuar të luftojnë për të drejtën e abortit, por kanë hasur vështirësi për të gjetur mënyrën si të veprojnë duke pasur parasysh kundërshtimin e republikanëve në senat. Presidenti Biden u tha gazetarëve të enjten se ai do të mbështeste një përjashtim nga procedurat bllokuese në senat për të kthyer në ligj federal të drejtën e abortit./VOA

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat