Si po ndryshon politika për menaxhimin e kufirit SHBA-Meksikë

Amerika

Si po ndryshon politika për menaxhimin e kufirit SHBA-Meksikë

Më: 4 korrik 2022 Në ora: 17:09
Foto ilustrim

Pasi Gjykata e Lartë mbështeti kërkesën e administratës së Presidentit Biden për t’i dhënë fund një politike të epokës së ish-Presidentit Trump që i shtrëngonte emigrantët të prisnin në territorin e Meksikës deri sa të merrej një vendim nga gjykata amerikane për azil, pritet të ndryshojë mënyra se si Shtetet e Bashkuara trajtojnë emigrantët përgjatë kufirit jugor. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Arash Arabasadi, vendimi i javës së kaluar përkoi me ngjarjen e rëndë atë të gjetjes së mbi 50 emigrantë të vdekur në një kamion të braktisur në Teksas.

Javën e kaluar në San Antonio të Teksasit, një punonjës i qytetit njoftoi strukturat e zbatimit të ligjit për atë që do të bëhej një nga tragjeditë më vdekjeprurëse në historikun e njerëzve që kalojnë kufirin e Shteteve të Bashkuara.

Autoritetet federale ngritën akuza për katër persona të përfshirë në trafikimin e emigrantëve të mbyllur në një rimorkio, pa ujë dhe pa ajër të kondicionuar, dhe të braktisur nga shoferi që ishte larguar duke braktisur automjetin.

Kjo ndodhi në të njëjtën javë ndërsa Gjykata e Lartë amerikane vendosi për rrëzimin e një politike të epokës së ish-Presidentit Trump, e njohur si politika e “Qëndrimit në Meksikë”.

Kjo përbën një fitore për Presidentin Joe Biden dhe sinjalizon fundin e një politike që shtrëngoi mijëra emigrantë të presin në Meksikë, ndërkohë që gjykatat amerikane shqyrtonin rastin e tyre, duke i detyruar shumë prej tyre t’i hyjnë një rrugëtimi të rrezikshëm drejt territorit amerikan.

"Jemi shumë të kënaqur me vendimin e Gjykatës së Lartë që mbështet angazhimin tonë për t'i dhënë fund programit ‘Qëndro në Meksikë’, i cili ka mangësi të shumta dhe shkakton tragjedi të pajustifikueshme njerëzore. Duhet të presim derisa vendimi i Gjykatës së Lartë t'i komunikohet gjykatës më të ulët”, tha për kanalin ABC, Alejandro Mayorkas, Sekretar i Sigurisë Kombëtare.

Procesi mund të zgjasë disa javë. Vendimi vjen pasi qindra mijëra emigrantë këtë vit janë përpjekur të kalojnë në Shtetet e Bashkuara përmes kufirit jugor.

Guvernatori i Teksasit, Greg Abbott thotë se forcat e rendit të këtij shteti do të rrisin pikat e kontrollit të kamionëve për të shmangur një tragjedi të ardhshme si ajo në San Antonio. Ai gjithashtu thotë se faji është i administratës së Presidentit Bidenit.

“Shumë nga këto vdekje mund të parandaloheshin nëse (Presidenti) Biden thjesht do të kishte financuar plotësisht operacionet e Patrullës Kufitare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të zbatonte politikat që i duhen Patrullës Kufitare për të bërë punën e tyre reale. Dhe puna e vërtetë nuk është përpunimi i dokumentave që u është caktuar të bëjnë. Puna e vërtetë është se si të sigurohet kufiri, dhe gjëra të tilla si inspektimi i automjetit që po transportonte njerëzit që humbën jetën”, tha zoti Abbott.

Ndërsa politika e “Qëndrimit në Meksikë” duket se së shpejti do të përfundojë, një tjetër politikë e diskutueshme e epokës së ish-Presidentit Trump që ua ka ndaluar shumë emigrantëve hyrjen në Shtetet e Bashkuara – pjesë e një mase të shëndetit publik në përgjigje të pandemisë së koronavirusit – mbetet ende në fuqi.

Presidenti i Meksikës, Andrés Manuel López Obrador në një konferencë shtypi këtë javë njoftoi planet për t'u takuar me Presidentin Biden më 12 korrik për të diskutuar për çështjet e emigracionit./VOA

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat