Uashington, kryebashkiakja kërkon që forcat e ushtrisë të ndihmojnë me emigrantët

Amerika

Uashington, kryebashkiakja kërkon që forcat e ushtrisë të ndihmojnë me emigrantët

Më: 29 korrik 2022 Në ora: 06:19
Emigrantët duke mbajtur batanijet e dhëna nga Kryqi i Kuq, pasi kanë zbritur nga autobuzët nga Teksasi në kryeqytetin amerikan Uashington

UASHINGTON, 28 korrik - Kryetarja e bashkisë së Uashingtonit, Muriel Bowser ka kërkuar dislokimin e forcave ushtarake për të ndihmuar me emigrantët që mbërrijnë me autobuzë të dërguar nga qeveritë e shteteve të Teksasit dhe Arizonës, thuhet në letrat që zyra e saj i ka drejtuar ushtrisë amerikane dhe zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë.

Kryebashkiakja demokrate Bowser ka kërkuar javët e fundit për fonde federale për të ofruar strehim dhe shërbime për emigrantët që mbërrijnë me autobuzë nga dy shtetet e udhëhequra nga republikanët, të cilët kërkuan të jepnin një mesazh politik duke dërguar në Uashington personat që kalojnë kufirin.

Image
Muriel Bowser

"Aftësia jonë për të ndihmuar njerëzit në nevojë në këtë shkallë është shumë e kufizuar", shprehet zonja Bowser në një letër drejtuar zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë, duke shtuar se organizatat jofitimprurëse që mirëpresin emigrantët në Uashington janë "të mbingarkuara dhe të financuara jo mjaftueshëm".

Guvernatori i Teksasit, Greg Abbott, një republikan që kandidon për rizgjedhje në zgjedhjet e mesmandatit në nëntor, fajëson politikat e emigracionit të Presidentit Joe Biden për numrin rekord të arrestimeve të emigrantëve në kufirin me Meksikën.

Guvernatori njoftoi në prill se shteti do t’i transportonte emigrantët me autobus për në Uashington, duke thënë se "Teksasi nuk duhet të mbajë barrën e dështimit të administratës Biden për të siguruar kufirin tonë".

Teksasi ka dërguar mbi 150 autobusë me më shumë se 6 mijë emigrantë në Uashington që nga prilli, sipas të dhënave të zyrës së zotit Abbott.

Guvernatori i Arizonës, Doug Ducey, një tjetër republikan, nisi një përpjekje të ngjashme në maj dhe ka transportuar me autobuz më shumë se 1 mijë emigrantë, u shpreh zyra e tij.

Image
Foto ilustrim

Rreth 85% deri në 90% e emigrantëve që mbërrijnë, vazhdojnë drejt destinacioneve të tjera të Shteteve të Bashkuara me autobuz ose aeroplan, sipas të dhënave të dy grupeve që punojnë për të mirëpritur emigrantët në Uashington.

Aktivistët në mbështetje të emigrantëve dhe anëtarët e këshillit të qytetit të Uashingtonit i kanë bërë thirrje zonjës Bowser që të caktojë fonde nga buxheti i qytetit për pritjen e tyre, por kryebashkiakja ka thënë se është qeveria federale ajo që duhet të ndërhyjë.

Kryetari i bashkisë së qytetit të Nju Jorkut, Eric Adams, një tjetër demokrat, ka thënë në mënyrë të ngjashme javët e fundit se ardhjet e emigrantëve kanë ngarkuar sistemin e strehimit të qytetit të tij dhe i bëri thirrje administratës së Presidentit Biden që të sigurojë fonde./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat