Akuzohet për vrasje bashkëshorti i një gruaje të zhdukur nga Masaçusets

Amerika

Akuzohet për vrasje bashkëshorti i një gruaje të zhdukur nga Masaçusets

Më: 18 janar 2023 Në ora: 06:19
Brian Walshe

Autoritetet ngritën të martën akuza për vrasje, ndaj bashkëshortit të një gruaje nga shteti i Masaçusetsit, e cila rezulton e zhdukur që prej 1 janarit 2023. Prokurorët kanë bërë të ditur më parë se kishin gjetur një thikë dhe gjak në bodrumin e shtëpisë së tyre.

Brian Walshe, 47 vjeç, u arrestua më 8 janar nën akuzën e dhënies së informacione qëllimisht të pasakta grupit hetimor, lidhur me zhdukjen e bashkëshortes së tij, Ana Walshe. Ngjarja ka marrë vëmendje kombëtare.

Ana Walshe, 39-vjeç, nënë e tre fëmijëve, rezulton e zhdukur që prej 1 janarit. Ajo jetonte në qytetin Kohaset, së bashku me bashkëshortin dhe fëmijët e saj.

Procesi i gjykimit të zotit Walshe do të nisë të mërkurën në gjykatën e qarkut Quincy. Një ndihmëse e avokates së tij, Tracy Miner, nuk pranoi të komentojë rreth akuzës, duke thënë se "ishte përqendruar tek mbrojtja e zotit Walshe".

Ana Walshe, e cila punonte në zyrën e kompanisë së pasurive të paluajtshme “Tishman Speyer” në kryeqytetin amerikan, Uashington, u raportua e zhdukur më 4 janar, nga punëdhënësi dhe bashkëshorti i saj.

Në atë kohë, Brian Walshe ndodhej në arrest shtëpie, në pritje të dënimit nga një gjykatë federale e Bostonit, pasi kishte pranuar se në vitin 2021, kishte shitur piktura të falsifikuara të Andy Warhol.

Brian Walshe tha fillimisht se gruaja e tij kishte marrë një uber (shërbim taksie) për të shkuar në aeroport, në një udhëtim urgjent për në Uashington, më 1 janar.

Por gjatë një seance gjyqësore më 9 janar, ndihmësprokurorja e qarkut Norfolkut, Lynn Beland, tha se autoritetet nuk kishin gjetur prova se Ana Walshe kishte bërë një udhëtim të tillë, në atë datë. Po sipas autoriteteve një biletë avioni ekzistuese, e prerë për në datën 3 janar, për në Uashington, ka mbetur e papërdorur.

Zonja Beland tha se hetuesit zbuluan më vonë se në 2 janar, Brian Walshe kishte blerë në një dyqan solucione pastruese në vlerën e 450 dollarëve. Pasi policia siguroi një urdhër për të kontrolluar shtëpinë e tij, në bodrum u gjetën gjurmë gjaku dhe një thikë me gjak./VOA

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat