Ekspertët thonë se sulmet ndaj lirisë së fjalës po rriten në të gjithë SHBA-të

Amerika

Ekspertët thonë se sulmet ndaj lirisë së fjalës po rriten në të gjithë SHBA-të

Më: 15 mars 2023 Në ora: 23:22
Kushtetuta e SHBA-së

Ekspertët e Amendamentit të Parë të Kushtetutës amerikane thonë se sulmet ndaj lirisë së fjalës po përshkallëzohen në të gjithë Shtetet e Bashkuara. Joe Cohn nga Fondacioni për të Drejtat dhe Shprehjen Individuale thotë se censura po përhapet dhe po vë në rrezik kulturën amerikane të lirive individuale.

Në Ajdeho, një ekspozitë arti u censurua dhe adoleshentëve iu tha se nuk mund të dëshmonin në disa seanca legjislative. Në shtetin e Uashingtonit, një ligjvënës propozoi një linjë telefonike në mënyrë që qeveria të mund të gjurmonte deklaratat fyese, si dhe krimet me motive urrejtjeje. Në Florida, blogerët po luftojnë kundër një projektligji që do t'i detyronte ata të regjistroheshin në këtë shtet nëse publikojnë kritika kundër zyrtarëve publikë.

Ndërkohë, ndalimet e librave dhe shfaqjeve, ku një person zakonisht i seksit mashkull vishet si femër, me kostume e grim të ekzagjeruar, po bëhen gjithnjë e më të zakonshme në mbarë vendin.

“Këtë vit, ne shohim një valë ligjesh, që vënë në shënjestër shfaqjet, ku qoftë edhe nëse një person i vetëm nuk përcaktohet se cilës gjini i përket, mjafton për t’u përballur me ndëshkim. Ne shohim gjithashtu një valë ligjesh që përcaktojnë se çfarë librash mund të qëndrojnë dhe çfarë jo, në bibliotekat e shkollave publike”, tha zoti Cohn. “Në kolegje, kemi parë përpjekje për të ndëshkuar, apo pushuar nga puna personel për shkak të asaj që kanë deklaruar dhe numri i rasteve është befasues – është shkalla më e lartë që kemi parë në 20 vitet e ekzistencës së organizatës sonë”.

Të drejtat që burojnë nga Amendamenti i Parë i Kushtetutës amerikane kanë qenë të qëndrueshme në Amerikë për dekada, tha Ken Paulson, drejtor i Qendrës së Fjalës së Lirë në Universitetin Shtetëror të shtetiut Tenësi. Por vitet e fundit shumë shtete u janë rikthyer taktikave kundër fjalës së lirë, taktika të përdorura shpesh nga senatori Joe McCarthy gjatë fushatës “Frika e Kuqe” e fillimit të viteve 1950.

Zoti McCarthy dhe të tjerët u përpoqën t'u mbyllnin gojën kundërshtarëve politikë, duke i akuzuar si komunistë, ose socialistë, duke përdorur frikën dhe akuzat publike për të shtypur të drejtat themelore të fjalës së lirë. Termi “McCarthyism” u bë sinonim i sulmeve të pabaza ndaj shprehjes së lirë dhe Gjykata e Lartë e SHBA-së i është referuar fenomeneve në disa vendime të lidhura me Amendamentin e Parë.

“Ne po shohim një valë të bashkërenduar, që nuk e kemi parë me dekada”, tha zoti Paulson, duke përmendur shtete si Florida, ku guvernatori republikan Ron DeSantis ka kërkuar miratimin e ligjeve që do të kishin kriminalizuar shfaqjet “ku meshkuj vishen si femra”, do t'u lejonte prindërve të përcaktonin se çfarë librash mund të lejoheshin në biblioteka dhe për të bllokuar tërësisht disa leksione historie.

“Është mjaft befasuese, që kaq shumë politikanë po valëvisin flamurin e lirisë, ndërkohë që bëjnë gjithçka që munden për të shkelur të drejtat e fjalës së lirë të amerikanëve,” tha zoti Paulson.

Megjithatë, asnjë grup politik nuk ka monopol mbi censurën – agresioni po rritet në të gjithë spektrin, tha John Cohn nga Fondacioni për të Drejtat dhe Shprehjen Individuale.

Projektligji i shtetit të Uashingtonit për linjën telefonike që do gjurmonte deklaratat e njëanshme potencialisht ofenduese, i cili u hodh poshtë në fillim të këtij viti, u sponsorizua nga senatori demokrat Javier Valdez dhe u mbështet nga disa grupe, përfshirë Lidhjen Anti-Shpifje, Ligën Urbane, Këshillin për Marrëdhëniet Amerikano-Islamike dhe të tjerë. Ai synonte të ndihmonte shtetin të mblidhte informacion në lidhje me krimet e urrejtjes dhe incidentet që vijnë si rezultat nga paragjykimet dhe të ofronte mbështetje dhe kompensim për viktimat në një kohë kur raportet për krimet e urrejtjes po rriten.

Kundërshtarët, përfshirë Fondacionin për të Drejtat Individuale dhe Shprehjen, thanë se kishin frikë se do të zbuste mbrojtjen e fjalës së lirë sepse trajton deklaratat e njëanshme fyese si sjellje kriminale.

Gjuha e urrejtjes mund të jetë e dëmshme dhe e neveritshme, por gjithsesi mbrohet nga Amendamenti i Parë. Departamenti i Sigurisë Kombëtare dhe ekspertët që studiojnë ekstremizmin kanë paralajmëruar se retorika e urrejtjes mund të shihet si një thirrje për veprim nga grupet ekstremiste.

Shteti Oregon krijoi një linjë telefonike të ngjashme në vitin 2019. Ajo mori afro 1700 telefonata në vitin 2021, me gati 60% të incidenteve të raportuara që nuk i përmbushin standardet kriminale, sipas një raporti vjetor nga zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Oregonit, Ellen Rosenblum.

“Njerëzit në pushtet vënë në objektiv kundërshtarët e tyre politikë, kështu që njerëzve që u mbyllet goja, varet nga shteti ku jetojnë dhe nga konteksti individual”, tha zoti Cohn.

Artistja Katrina Majkut e provoi në kurriz javën e kaluar, kur veprat e saj të artit, që ishin ekspozuar në mbi 20 shtete gjatë dekadës së fundit u censuruan në mënyrë të papritur në Leuston, në shtetin e Ajdehos.

Artistja përdor qëndismat për të nxjerrë në pah dhe për të përmbysur idetë tradicionale mbi gruan dhe mëmësinë.

Ajo u punësua për t’u kujdesur për një ekspozitë në kolegjin Lewis-Clark State lidhur me çështjet të përkujdesit shëndetësor, si sëmundjet kronike, shtatzania dhe dhuna me armë.

Por në 2 mars, një ditë para hapjes së ekspozitës, asaj dhe dy artistëve të tjerë iu tha se veprat e tyre do të hiqeshin për shkak se administrata druhej se binte ndesh me aktin e shtetit të Ajdehos “Jo fonde publike për aktin e abortit”.

Ligji i vitit 2021 ndalon etnitetet që marrin financim nga shteti të mbështesin abortin, apo të ndërmarrin masa të tjera, që mund të konsiderohen si këshillim në mbështetje të abortit.

Qëndismat e Katrina Majkut të dy ilaçeve që mund të përdoren për të nxitur abortin në fillim të shtatëzënisë u hoqën nga ekpozita, së bashku me një pllakatë muri që pasqyronte detaje mbi ligjet e abortit në këtë shtet.

Katër dokumentarë me pamje dhe zë të artistes Lydia Nobles, ku gratë flisnin rreth përvojave të tyre mbi abortin, po ashtu nuk u lejuan të shfaqeshin.

“Të censurohesh në këtë mënyrë është tronditëse”, tha artisja Markut, e cila thotë se arti që ajo bën është më shumë edukues se sa debatues. “Nëse ky lloj arti i qëndrueshëm dhe i mbështetur nga të dy palët censurohet, atëherë gjithçka do të censurohet”.

Zëdhënësi i Kolegjit, Logan Fowler tha se vendimi u mor pasi u këshilluan me avokatët nëse shfaqja e veprave mund të shkelte ligjin.

Përfaqësuesi republikan Bruce Skaug, hartues i ligjit, tha të martën se qëllimi nuk ishte të “pengoheshin diskutimet e hapura” mbi abortin, por të mos lejohej që paratë e taksapaguesve të përdoreshin për reklamimin e abortit.

Vendimi për censurimin e ekspozitës vjen vetëm dy muaj pas një vendimi tjetër të debatueshëm të zotit Skaug. Si drejtues i Komisionit të Drejtësisë të Asamblesë së shtetit të Idahos, ai njoftoi në janar se personat nën 18 vjeç nuk do lejoheshin të dëshmonin në komisionin e tij. Pas tij, një tjetër drejtues republikan mori të njëjtin vendim për komisionin që ai drejtonte.

Ligjvënësit kanë të drejtën të kufizojnë dëshmitë në komisione dhe shpesh i përdorin këto kufizime që veprimtaria legjislative të jetë e fokusuar dhe në kohë.

Megjithatë, kufizimit i të drejtës së fjalës bazuar tek mosha duket se ishte rasti i parë për këtë shtet.

Një grup adoleshentësh filluan të veprojnë duke bërë thirrje përmes telefonatave dhe komunikimeve elektronike, për organizimin e protestave.

“Ka një mungesë të qartë të largpamësisë së politikanëve të cilët kërkojnë të eliminojnë zërin e atyre që një ditë do t’i zgjedhin dhe në fund do t’i zëvendësojnë ata ”, shkruajtën në një opinion të përbashkët dërguar mediave në të gjithë shtetin, një grup udhëheqës nxënësish të 32 shkollave të mesme “Ne pyesim udhëheqësit republikanë të Ajdehos, nga çfarë keni kaq frikë?”

Në fund, ligjvënësit modifikuan rregullat e tyre, duke i lejuar të rinjtë të dëshmojnë për aq kohë sa një prind apo kujdestar ka nënshkruar lejen për një gjë të tillë .

Zoti Skaug tha se rregulli ishte i nevojshëm për t’u siguruar që prindërit të janë në dijeni se fëmijet e tyre po largohen nga shkolla për të dëshmuar para ligjvënësve. Megjithatë, ai tha se kur koha është e kufizuar, përparësi për dhënien e dëshmive do të kenë banorët më të vjetër në moshë, por tha se nuk është në dijeni që ndonjë të riu t’i jetë mohuar mundësia për të dëshmuar deri më tani, për këtë vit.

Për zotin Cohn, përpjekjet në Ajdeho dhe diku tjetër pasqyrojnë rrezikun e përpjekjes për të kufizuar të drejtën e njerëzve që ndajnë pikëpamje të ndryshme, për t’u shprehur.

“Ne duhet të jemi gjithnjë vigjilentë nëse duam që kultura jonë e lirisë individuale të mbizotërojë,” tha ai.

“Idetë jo të mira (këqija) trajtohen më mirë nëpërmjet debatit dhe dialogut sesa përmes censurës nga qeveria”./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat