Roli i Viskonsinit në përcaktimin e fituesit të zgjedhjeve në SHBA

Amerika

Roli i Viskonsinit në përcaktimin e fituesit të zgjedhjeve në SHBA

Më: 21 gusht 2023 Në ora: 22:07
Foto ilustrim

Kur kandidatët republikanë për zgjedhjet presidenciale të mblidhen në debatin e parë të mërkurën, në qytetin Muhaki, vëmendja nuk do të jetë vetëm tek ata, por edhe tek Viskonsin, një prej atyre shteteve, numri i të cilëve po tkurret, ku do të zhvillohet një garë e fortë.

Republikanët zgjodhën këtë qytet për debatin e tyre të parë dhe për konventën kombëtare pas 11 muajsh kreysisht për shkak të statusit të merituar të shtetit Visconsin si vendimtar në garën presidenciale.

Katër nga gjashtë zgjedhjet e fundit presidenciale janë përcaktuar nga më pak se një për qind diferencë votash atje. Në vitin 2016, Donald Trump fitoi me një epërsi të lehtë, ndërsa në vitin 2020 humbi me një diferencë të ngjashme.

Për të marrë pjesë në debatin e së mërkurës, Komiteti Kombëtar Republikan u kërkoi kandidatëve të plotësonin kriteret mbi pragun e mbështetjes me vota dhe atë të donatorëve dhe të nënshkruanin premtimin për të mbështetur kandidatin e republikanëve në zgjedhjet e përgjithshme.

Ish-presidenti Donald Trump, që deri tani kryeson garën mes republikanëve dhe që përballet me akuza penale në katër çështje, thotë se nuk do të marrë pjesë në debatin e parë presidenicial.

Në debat pritet të jenë guvernatori i Floridës Ron DeSantis, Senatori i Karolinës së Jugut Tim Scott, ish-guvernatorja e Karolinës së Jugut Nikki Haley, sipërmarrësi Vivek Ramaswamy, ish-nënpresidenti Mike Pence, Chris Christie ish-guvernator i Nju Xhersit dhe guvernatori i Dakotës së Veriut, Doug Burgum.

Ish-guvernatori i Arkansasit, Asa Hutchinson, kryebashkiaku i Majamit, Francis Suarez dhe biznesmeni i Miçiganit, Perry Johnson, gjithashtu thonë se kanë përmbushur kërkesat për të dalë në skenë. Formacioni nuk është ende final pasi kandidatët kanë kohë deri të hënën në mbrëmje për t’i vënë në dispozicion Komitetit Kombëtar Republikan, prova se kanë plotësuar kriteret dhe kanë të drejtën e pjesëmarrjes në debat.

Pesha e votimeve të primareve republikane në emërimin e kandidatit presidencial do të fillojë të ndihet në më pak se 5 muaj, kur në 15 janar republikanët në shtetin e Ajovas të hedhin votat e para për emërimin e kandidatit, proces që do të vijojë në disa shtete të tjera në shkurt. Kandidati që do të sigurojë emërimin e repubikanëve, do të përballet me presidentin Joe Biden në nëntor.

Gara do jetë e hapur në Viskonsin. Atje, asgjë nuk do jetë e sigurt kur të mbahen zgjedhjet e përgjithshme. Një shtet që dallon nga shtete të tjera, numri i të cilëve po tkurret, për rolin përcaktues në zgjedhjet presidenciale. Shtete që kanë patur këtë rol, si Ohajo dhe Florida janë bërë më republikane ndërsa Virxhinia dhe Kolorado më demokrate.

Kjo bën që Viskonsini, së bashku me Xhorxhian, Arizonën, Pensilvaninë dhe Nevadën të jenë shtetet ku gara do jetë më e fortë dhe që mund të përcaktojnë se kush do jetë presidenti i ri.

Në një sinjal për rëndësinë e shtetit Visconsin, presidenti Biden shkoi javën e kaluar në Muhaki për të folur për punën e administrates së tij në hapjen e vendeve të reja të punës atje.

Të dielën, u njoftua nga zyra e tij elektorale se do të shpenzohen 25 milionë dollarë për reklama në shtatë shtete, përfshirë Viskonsin, për t’i bërë ballë republikanëve, ndërsa ta mbajnë debatin presidencial.

Statusi i Viskonsinit si një shtet me peshë në zgjedhje daton më shumë se 20 vjet më parë.

Në vitin 2000, demokrati Al Gore fitoi në Visconsin me 5700 vota, ose vetëm 0,22% të totalit të votave të hedhura. Kjo e bën fitoren e presidentit Biden në 2020 me afro 21,000 vota, ose një diferencë prej 0,56%, të dukej si një fitore madhore.

Në dy gara të tjera, fitorja me një diferencë prej 0,38% e John Kerry-t në 2004 dhe me 0,77% e Donal Trump-it në 2016-n, janë tregues të betejës tepër të ngushtë.

Nuk ka asnjë sinjal se në Viskonsin rezultati do të ndryshojë dhe mbështetja me votë nuk do të ndahet në mënyrë kaq të barabartë.

Demokratët kanë arritur të sigurojnë mbështetje në periferitë konservatore të Muhakit, ku mbështetja për republikanët ra gjatë epokës së ish-presidentit Trump. Demokratët gjithashtu kanë fituar mbështetje edhe në rajonin Dane County, në Madison, kryeqyteti liberal i Viskonsinit, ku gjendet gjithashtu edhe universiti “Wisconsin”.

"Viskonsin ka një kombinim të popullsisë urbane, periferike dhe rurale që nevojitet për të ruajtur statusin konkurrues," tha Anthony Chergosky, profesor i shkencave politike në Universitetin “Wisconsin-La Crosse”. “Bëhet fjalë për një shtet që është shumë i kontestuar politikisht, por që nuk duket si 10, 20 apo 30 vjet më parë.”

Ligjvënësi demokrat Mark Pocan, distrikti i të cilit përfshin edhe kryeqytetin Madison, vuri në dukje se republikanët që Viskosini të ishte shteti i parë ku të njoftoheshin përpjekje për votime të hershme, duke përqafuar një taktikë të përdorur prej kohësh nga demokratët, të cilës zoti Trump dhe të tjerët në partinë republikane iu shmangën dhe pohuan në mënyrë të rreme se ishte gjerësisht e manipuluar.

Tani edhe vetë zoti Trump po nxit votimin e hershëm.

Demokratët në Viskonsin po u drejtohen zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024 me më shumë besim.

Ata kanë fituar 14 nga 17 proceset e fundit zgjedhore në rang shtetëror, përfshirë fitoren e Joe Bidenit në 2020, guvernatorit Tony Evers në 2022 dhe Janet Protasiewicz në prill.

Fitorja e kësaj të fundit në garën për Gjykatën e Lartë të Viskonsinit bëri të mundur që demokratët të kishin shumicën kundrejt republikanëve, pas 15 vjetësh, ndërsa priten vendime të rëndësishme që lidhen me të drejtën e abortit apo rregullat e votimit.

Republikanët kanë shënuar fitore, përfshirë rizgjedhjen e senatorit amerikan Ron Johnson vitin e kaluar, marrjen e një vendi në Kongres dhe rritjen e shumicës në Senatin dhe Asamblenë e shtetit.

Por këto fitore u lane në hije nga humbjet në garën presidenciale, atë për guvernator dhe të Gjykatës së Lartë, thotë specialist në strategjinë republikane Stephan Thompson.

Senatorja demokrate amerikane Tammy Baldwin pritet të garojë për një mandat të tretë vitin e ardhshëm.

Në garën presidenciale, kandidati DeSantis ka treguar se ka mbështetje këtë verë, ndërkohë që përballet me vështirësi në nivel kombëtar.

Sipas një sondazhi të publikuar në 29 qershor nga fakulteti i drejtësisë i universitetit “Marquette”, zoti Trump kishte mbështetjen e 31 për qind republikanëve ose të të pavarurve me prirje republikane, ndërsa zoti De Santis gëzonte një mbështetje prej 30 për qind.

Por në një përballje kokë më kokë, zoti DeSantis pati një mbështetje prej 57% të të anketuarve ndërsa zoti Trump 41%.

Që prej anketimit, zoti Trump u përball me një padi të tretë dhe më pas me një të katërt ndërsa fushata e zotit DeSantis u trondit, në një kohë që ai përpiqet të dëmtojë mbështetjen që gëzon ish presidenti Trump në shkallë kombëtare.

Republikanët e në shtetin e Viskonsinit janë më të ndarë për ish presidentit Trump sesa dy herët e fundit që ai kandidoi.

Refuzimi i tij për të pranuar humbjen në 2020, pretendimet e tij të përsëritura të pabazuara për rezultatin në Visconsin dhe thirrjet për të mos certifikuar rezultatet, e larguan atë nga shumë republikanë të nivelit të lartë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat