Libertarianët kundërshtojnë Trumpin; Biden takon ushtarakët e rinj

Amerika

Libertarianët kundërshtojnë Trumpin; Biden takon ushtarakët e rinj

Më: 27 maj 2024 Në ora: 18:14
Biden dhe Trump

Fushata zgjedhore presidenciale është ndalur përkohësisht ndërsa kandidatët kryesorë për president shënojnë Ditën e të Rënëve e cila përkujtohet sot në Shtetet e Bashkuara. Gjatë fundjavës, siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Veronica Balderas Iglesias ish Presidenti Donald Trump u përball me kundërshti të forta ndërsa iu drejtua libertarianëve amerikanë. Ndërkohë Presidenti Joe Biden mori pjesë në ceremoninë e diplomimit të ushtarakëve të rinj. Ai u bëri thirrje atyre të shërbejnë si “mbrojtës të demokracisë amerikane”.

Ndryshe nga turmat me mbështetës konservatorë, që ai has rregullisht në tubimet e fushatës, ish Presidenti Donald Trump u përball me kundërshti në Konventën Kombëtare të Partisë Libertariane që u mbajt të shtunën. Thirrjet kundështuese u dëgjuan kur kandidati republikan për president përmendi një artikull të shkruar nga komentatori politik Deroy Murdock.

“Deroy shkruan 'Donald Trump do t'i drejtohet Partisë Libertariane të shtunën. Kjo parti, shkroi ai, duhet ta emërojë Trump-in si kandidat të saj për president. Kjo është ide e mirë, nëse doni të fitoni”

Por ndërsa thirrjet kundër zotit Trump vazhdonin, ai iu drejtua të pranishmëve duke u thënë se mbase ata nuk donin që të fitonin.

Pjesëmarrësit megjithatë duartrokitën kur zoti Trump përmendi disa nga prioritetet e tij, nëse ai do t’i fitonte zgjedhjet.

“Ne do të shkurtojmë fondet për çdo shkollë që lejon teoritë marksiste dhe komuniste mbi racën dhe çështjet gjinore. Nuk do t'i lejojmë burrat të marrin pjesë në sportet e grave. Unë nuk do t'i jap asnjë qindarkë, asnjë shkolle, që detyron njerëzit të vendosin maska apo që të bëjnë vaksinat”, tha ish Presidenti Trump.

Nga ana tjetër Presidenti Joe Biden, i cili është në garë për t'u rizgjedhur, foli përpara të sapodiplomuarve të Akademisë Ushtarake amerikane në West Point të Nju Jorkut.

“Nuk ka patur ndonjëherë një periudhë në histori, kur i kemi kërkuar ushtrisë sonë të angazhohet në kaq shumë gjëra të ndryshme, e në kaq shumë vende të ndryshme në mbarë botën, në të njëjtën kohë”, tha Presidenti Biden.

Ndërsa theksoi se ushtarët amerikanë nuk do të përfshihen në fushëbeteja, zoti Biden ripërsëriti mbështetjen amerikane për Ukrainën. Ai foli edhe mbi rolin e ushtrisë amerikane në mbrojtje të Izraelit nga sulmet e fundit me dronë iranianë dhe punën që po bëhet për të lehtësuar dërgimin e ndihmave në Gazë.

Studentët e sapo-diplomuar u inkurajuan t’i përmbahen vlerave që parashtron slogani i betimit të Akademisë Ushtarake në ‘West Point’.

“Idetë kanë nevojë për mbrojtës. Dhe këta jeni ju, gjenerata e këtij viti. Ju jeni kampionët e lirisë dhe mbrojtësit e demokracisë amerikane”, tha Presidenti Biden.

Ndërsa sot Shtetet e Bashkuara përkujtojnë Ditën e të Rënëve zoti Biden merr pjesë në ceremoninë e planifikuar tek Varrezat Kombëtare të Arlingtonit në Virxhinia.

Fushata e zotit Trump lëshoi një deklaratë duke nderuar anëtarët e rënë të ushtrisë dhe njoftuan se kandidati republikan ka siguruar mbështetjen e 175 familjeve të veteranëve dhe pjesëtarëve të ushtrisë.

Kjo javë do të jetë e ngarkuar për avokatët e ish-presidentit, pasi ata do të paraqesin të martën argumentet përfundimtare përpara një jurie prej 12 anëtarësh në gjyqin penal ndaj zotit Trump në Nju Jork. Çështja lidhet me pagesat bërë ish aktores së filmave pornografik, Stormy Daniels, për të siguruar heshtjen e saj mbi një marrëdhënie të dyshuar seksuale me zotin Trump./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat