​Dita e çlirimit, Trump vendos tarifa 20% për importet nga BE, të paktën 10% për të tjerët

Amerika

​Dita e çlirimit, Trump vendos tarifa 20% për importet nga BE, të paktën 10% për të tjerët

Më: 2 prill 2025 Në ora: 23:10
Donald Trump

Presidenti i SHBA-së Donald Trump ka mbajtur sonte një fjalim drejtuar Amerikës dhe botës me rastin e “Ditës së Çlirimit”.

Trump mbajti një tabelë të madhe “Tarifat reciproke”, e cila tregon tarifat e reja që SHBA po vendos ndaj vendeve individuale.

Ai ka njoftuar vendosjen e një "tarifa bazë minimale" prej 10% për importet nga të gjitha vendet, me qëllim, siç tha ai, "rindërtimin e ekonomisë amerikane" dhe tarifat prej 20% për importet nga BE-ja.

Siç tregohet, importet nga Britania e Madhe do të rëndohen me një tarifë prej 10%, dhe importet nga Bashkimi Evropian me 20%.

Trump tha se Shtetet e Bashkuara do të vendosin një tarifë 25 për qind për të gjitha veturat e prodhuara jashtë SHBA duke filluar nga mesnata.

Duke kritikuar çekuilibrin tregtar, Trump tha se ndonjëherë "miqtë janë më keq se armiqtë" kur bëhet fjalë për tregtinë.

"Për shembull, më shumë se 80% e makinave të prodhuara në Korenë e Jugut shiten në Korenë e Jugut dhe më shumë se 90% e makinave të shitura në Japoni janë prodhuar në Japoni," tha ai.

Trump shtoi se veturat e prodhuara në SHBA, si Ford, kanë vetëm një prani simbolike në ato tregje, e cila, sipas tij, ka "shkatërruar industrinë amerikane të automobilave".

"Kjo është arsyeja pse, duke filluar nga mesnata, një tarifë 25% për të gjitha automjetet e prodhimit të huaj do të hyjë në fuqi," tha ai.

Trump tha se sot me lëvizjet e sotme, Shtetet e Bashkuara më në fund po ngrihen në mbrojtje edhe të fermerëve dhe blegtorëve të saj, të cilët, thotë ai, "janë brutalizuar nga vendet e tjera për vite me radhë". Ai veçoi veçanërisht Kanadanë, për të cilën ai pretendon se vendos tarifa nga 200 deri në 250% për produkte të shumta të qumështit amerikan.

“Konserva e parë e qumështit është me një çmim shumë të ulët, por pas kësaj gjërat përkeqësohen”, tha Trump.

Ai shtoi se SHBA subvencionon shumë vende, përfshirë Kanadanë dhe Meksikën. "Në cilën pikë u thoni atyre - është koha të punoni për veten tuaj" pyeti presidenti Trump.

Kujtojmë, Trump u prit sonte para Shtëpisë së Bardhë me ovacione e duartrokitje nga turma. Ai iu afrua podiumit, tundi me dorë dhe përshëndeti publikun dhe më pas filloi menjëherë fjalimin duke thënë se "kjo është një ditë çlirimi – që do të mbahet mend përgjithmonë si dita kur industria amerikane u rilind.”

Trump kishte deklaruar më herët se "tarifat janë fjala e tij e preferuar" dhe është kjo masë që është kyçe për vizionin e tij ekonomik. Qëllimi i saj është të zvogëlojë deficitin tregtar, domethënë diferencën midis vlerës së mallrave që SHBA importon dhe atyre që eksporton.

Tarifat e reja, një lëvizje që shumë liderë botërorë e kanë dënuar tashmë, veçanërisht Meksika dhe Kanadaja. Disa vende tashmë kanë prezantuar ose shpallur kundërmasa me tarifat e tyre.

Sipas të dhënave të Byrosë Amerikane të Analizave Ekonomike, Kina dhe Bashkimi Evropian kryesojnë listën e deficiteve më të mëdha tregtare me SHBA-në – Kina me 295.4 miliardë dollarë, BE me 235 miliardë dollarë. Gjithashtu në listë janë Vietnami dhe Meksika, të cilat mund të goditen veçanërisht rëndë nga tarifat për importet e makinave.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat