​Të shtënat në universitetin amerikan kanë lënë të paktën 6 të plagosur

Amerika

​Të shtënat në universitetin amerikan kanë lënë të paktën 6 të plagosur

Më: 17 prill 2025 Në ora: 20:56
Ilustrim

Të paktën gjashtë persona janë shtruar sot në spital, njëri prej tyre në gjendje kritike, pas të shtënave në Universitetin Shtetëror të Floridës (FSU), dhe një i dyshuar është arrestuar.

Të shtënat ndodhën rreth mesditës në ndërtesën e Qendrës Studentore në kampusin e FSU në kryeqytetin Tallahassee.

Studentët dhe stafi u udhëzuan të qëndronin në një vend të sigurt ndërsa policia iu përgjigj një raportimi për një sulmues aktiv. Më shumë se 42 mijë studentë ndjekin mësimet në kampusin kryesor të FSU-së.

Spitali Tallahassee Memorial HealthCare konfirmoi se kishte pranuar gjashtë pacientë, një në gjendje kritike dhe të tjerët në gjendje të rëndë. Policia arrestoi një të dyshuar menjëherë pas të shtënave, konfirmuan dy burime policore për CNN.

Nuk dihet ende nëse ka edhe sulmues të tjerë, ndërsa policia është ende duke hetuar rastin.

Universiteti lëshoi një paralajmërim për një sulmues aktiv përmes kanaleve zyrtare dhe anuloi të gjitha klasat dhe ngjarjet.

Guvernatori i Floridës Ron DeSantis shprehu mbështetjen për komunitetin e prekur dhe presidenti Donald Trump tha se ishte "tragjike që këto ngjarje po ndodhin."

Kujtojmë, ë vitin 2014, në të njëjtin universitet, një sulmues hapi zjarr në bibliotekën kryesore, duke plagosur dy studentë dhe një punonjës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat