​Akrepat "pushtojnë" qytetet braziliane

Amerika

​Akrepat "pushtojnë" qytetet braziliane

Më: 8 maj 2025 Në ora: 15:09
Foto ilustrim

Akrepat po “pushtojnë” qytetet braziliane, kanë paralajmëruar shkencëtarët në një studim të ri që lidh urbanizimin e shpejtë dhe ndryshimin e klimës me rritjen e numrit të njerëzve që përjetojnë pickime nga këto kafshë.

Sipas të dhënave nga Sistemi Brazilian i Raportimit të Sëmundjeve Infektive, mbi 1.1 milion pickime akrepash janë regjistruar nga 2014-2023. Gjatë së njëjtës periudhë, numri i pickimeve të raportuara u rrit 250 për qind, sipas hulumtimit të publikuar në revistën Frontiers in Public Health.

Rritja e numrit të rasteve shoqërohet me zhvillimin e shpejtë dhe të paplanifikuar të qyteteve.

"Urbanizimi në Brazil ka ndryshuar thellësisht ekosistemet. Qytetet ofrojnë gjithçka që u nevojitet akrepave, shumë strehë, në mure, kanalizime, rrënoja dhe mbeturina ndërtimi, ngrohtësi të vazhdueshme dhe një burim të besueshëm ushqimi në formën e buburrecave dhe jo-vertebrorëve të tjerë urbanë”, tha autori kryesor i studimit Manuela Berto Pucca, asistent profesor pranë Universitetit Shtetëror të Sao Paulo.

Disa lloje akrepash mund të mbijetojnë deri në 400 ditë pa ushqim dhe të riprodhohen pa çiftëzim, duke e bërë të vështirë zhdukjen e tyre. Studiuesit vlerësojnë se midis 2025 dhe 2033 do të shfaqen edhe dy milionë raste të tjera. Studiuesit thonë se 0.1 për qind e pickimeve të raportuara përfundojnë me vdekje, me fëmijët dhe të moshuarit më të rrezikuar.

Njerëzit e shëndetshëm zakonisht shërohen plotësisht, por mund të ndjejnë dhimbje dhe parehati për ditë të tëra. Simptomat përfshijnë dhimbje, djegie, ënjtje, skuqje, ndjesi shpimi gjilpërash dhe vjellje, raporton KosovaPress.

Akrepat shumohen në zona të mbushura me njerëz dhe me lagështirë. Njerëzit udhëzohen të mbajnë zonën e pastër, mbylljen e të çarave në mure, vendosja e rrjetës në kanalet e kanalizimeve.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat