Trump thotë se marrëveshja prej 72 miliardë dollarësh midis Netflix dhe Warner Bros 'mund të jetë problem'

Amerika

Trump thotë se marrëveshja prej 72 miliardë dollarësh midis Netflix dhe Warner Bros 'mund të jetë problem'

Më: 8 dhjetor 2025 Në ora: 17:57
Presidenti Donald Trump

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka ngritur shqetësime të mundshme në lidhje me marrëveshjen e planifikuar prej 72 miliardë dollarësh (54 miliardë paund) të Netflix për të blerë studion filmike të Warner Brothers Discovery dhe rrjetet e njohura të transmetimit HBO.

Në një aktivitet në Uashington DC të dielën, ai tha se Netflix ka një "pjesë të madhe tregu" dhe madhësia e kombinuar e firmave "mund të jetë problem".

Të premten, të dy kompanitë thanë se kishin arritur një marrëveshje për të sjellë ekskluzivitetet e Warner Brothers si Harry Potter dhe Game of Thrones në Netflix, duke krijuar një gjigant të ri mediatik.

Marrëveshja e planifikuar, e cila ka ngritur shqetësime midis disa personave në industri, ende nuk është miratuar nga autoritetet e konkurrencës. BBC ka kontaktuar Warner Bros., Netflix dhe Shtëpinë e Bardhë për koment, shkruan BBC, transmeton KosovaPress.

I lançuar në vitin 1997 si një biznes me qira DVD-sh postare, Netflix është rritur për t'u bërë shërbimi më i madh i transmetimit me abonim në botë. Marrëveshja, më e madhja që industria e filmit ka parë prej një kohe të gjatë, do të përforconte pozicionin e saj numër një.

Sipas marrëveshjes, disa françiza globale argëtimi, të tilla si Looney Tunes, The Matrix dhe Lord of the Rings, do të transferoheshin te Netflix.

Marrëveshja pritet të përfundojë pasi Warner Bros të ndajë biznesin e saj në gjysmën e dytë të vitit 2026.

Divizioni i konkurrencës i Departamentit të Drejtësisë të SHBA-së, i cili mbikëqyr bashkimet e mëdha, mund të pretendojë se marrëveshja shkel ligjin nëse bizneset e kombinuara përbëjnë shumë nga tregu i transmetimit.

Në një aktivitet në Qendrën John F Kennedy në kryeqytetin e SHBA-së, Trump tha se Netflix ka një "pjesë shumë të madhe tregu" e cila do të "rritej shumë" nëse marrëveshja do të vazhdonte.

Trump shtoi se do të përfshihej personalisht në vendimin nëse do ta miratonte apo jo marrëveshjen dhe theksoi vazhdimisht madhësinë e pjesës së tregut të Netflix.

Ai tha gjithashtu se bashkë-drejtori ekzekutiv i Netflix, Ted Sarandos, vizitoi së fundmi Zyrën Ovale dhe e vlerësoi për punën e tij në kompani.

"Kam shumë respekt për të. Ai është një person i shkëlqyer", tha Trump. "Ai ka bërë një nga punët më të mëdha në historinë e filmave".

Z. Sarandos më parë pranoi se marrëveshja mund t'i ketë habitur investitorët, por tha se ishte një shans për ta pozicionuar Netflix për sukses në "dekadat që do të vijnë".

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat