Kanë nisur zyrtarisht punimet e para infrastrukturore në oborrin jugor të Shtëpisë e Bardhë (South Lawn), ku po montohet oktagoni i UFC pwr edicionin "UFC Freedom 250", raporton CBS Sports.
Ky event unik do të mbahet më 14 qershor, si pjesë e festimeve për 250-vjetorin e Amerikës, datë kjo që përkon edhe me 80-vjetorin e lindjes së Presidentit Donald Trump.
Fotografitë dhe dizajnet e publikuara nga UFC tregojnë se mbi oktagon po ngrihen dy harqe gjigante të ndriçuara me drita LED dhe të veshura me ngjyrat e flamurit amerikan. Vetë kafazi do të jetë i vendosur mbi një platformë të madhe digjitale që do të projektojë simbole kombëtare.
Ngjarja do të jetë tejet ekskluzive për nga prania fizike, por do të ofrojë hapësirë masive për publikun jashtë rrethojave:
"Oborri Jugor do të mirëpresë rreth 4,500 spektatorë, ku 1,000 ulëse janë të rezervuara rreptësisht për personelin ushtarak. Pjesa tjetër e biletave do të ndahet mes të ftuarve specialë të Presidentit Trump dhe CEO-s të UFC-së, Dana White. Megjithatë, fansat mund ta ndjekin ngjarjen falas nga parku 'The Ellipse', i cili do të akomodojë deri në 85,000 njerëz përmes ekraneve gjigante", raporton CBS sports.
Përkundër faktit që ky event do të ketë një kartë të shkurtuar prej vetëm shtatë luftërash, emrat e përfshirë janë të nivelit më të lartë të arteve marciale mikse (MMA).
Në meçin kryesor, Ilia Topuria dhe Justin Gaethje do të përballen për unifikimin e titullit të peshave të lehta. Ndërkaq, në meçin bashkë-kryesor (co-main event), ish-kampioni i dy divizioneve të ndryshme, Alex Pereira, do të përballet me Ciryl Gane për titullin e përkohshëm të peshave të rënda.
Emra të tjerë të njohur që do të ngjiten në kafaz gjatë këtij eventi janë edhe Sean O'Malley, Josh Hokit, Michael Chandler dhe Derrick Lewis."