Renault prezanton prototipin 5/ Rikthim i mitikes R5 në version modern elektrik

Auto

Renault prezanton prototipin 5/ Rikthim i mitikes R5 në version modern elektrik

Më: 14 janar 2021 Në ora: 15:11
Renault

Renault ka zbuluar prototipin 5, një makinë spektakël që është në thelb një rimishërim i ikonikes R5, por në versionin modern elektrik.

E kjo vjen në kuadër të “Renaulution”, planit strategjik që përfshin lancimin e shtatë makinave të reja elektrike deri në 2025. Nuk është shumë e vështirë të shohësh që Renault 5 e re është frymëzuar dukshëm nga dizajni origjinal, pasi përzien linjat e saj të pastra dhe sipërfaqet e rrafshëta me detajet futuristike tek dritat dhe pjesën ballore.

Drejtori i dizajnit në Renault, Gilles Vidal, ka zgjedhur të marrë elementë stili nga origjinalja për të plotësuar nevojat e makinës moderne. Prodhuesi francez i makinave nuk ka përmendur ndonjë detaj për pjesën e brendshme por thotë se ajo mban një ekran të vogël transparent në kroskot që mund ti shfaqë mesazhe edhe njerëzve jashtë makinës.  Po ashtu nuk janë dhënë detaje për fuqinë apo autonominë e makinës elektrike por kompania thotë se Renault 5 është e projektuar si një makinë elektrike praktike.

“Dizajni i prototipit Renault 5 bazohet në modelin kult të trashëgimisë sonë, R5”, thotë Gilles Vidal. “Ky prototip thjesht mishëron modernitetin, një makinë e përshtatshme për kohën, urbane, elektrike dhe tërheqëse”. Pas Renault 5, shtëpia franceze thotë se do të rikthejë në jetë një tjetër emër historik, Renault 4.

Prodhuesi francez do që 30 për qind e shitjeve të tij të jenë makina elektrike deri në 2025 dhe modele si prototipi i ri Renault 5, do të luajnë padyshim një rol të rëndësishëm për realizimin e këtij objektivi.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat