Stellantis rikthen motorin legjendar V8 Hemi

Auto

Stellantis rikthen motorin legjendar V8 Hemi

Më: 8 qershor 2025 Në ora: 07:31
Foto ilustrim

Kompania Stellantis kishte hequr nga prodhimi motorin legjendar V8 Hemi, me idenë që rolin e tij do ta merrte një motor më i vogël, V6.

Por, kur amerikanëve (në disa shtete) u hiqet V8, është thuajse njësoj sikur t’i rrëmbeje një fëmije akulloren nga dora.

Pasuan protesta, CEO i Stellantis, Carlos Tavares, dha dorëheqjen, në pushtet erdhi Donald Trump, i cili ka një përbuzje të hapur ndaj veturave elektrike dhe gjithë konceptit të elektromobilitetit – dhe kështu, V8 Hemi është kthyer.

Modeli i madh Ram 1500 me motorin Hemi do të rikthehet në treg këtë verë, si pjesë e modelit për vitin 2026.

Motori V8 Hemi do të vazhdojë të ofrojë 395 kuaj/fuqi dhe 600 Nm çift rrotullimi, me ndihmën e sistemit të butë hibrid eTorque.

Në gamën e motorëve, Hemi do të pozicionohet mes motorit V6 Pentastar 3.6 litra me 305 kuaj/fuqi dhe motorit Hurricane 3.0 litra me gjashtë cilindra në rresht dhe dy turbo, i cili ofrohet në variante me 420 dhe 550 kuaj/fuqi.

Modelet që do të pajisen me Hemi do të kenë edhe një shenjë të veçantë, që përfshin kokën e dashit dhe një simbol motori, me emrin zyrtar “Simboli i protestës” – një referencë e qartë ndaj reagimit publik që solli rikthimin e motorit.

Stellantis ka njoftuar gjithashtu se do të rikthejë në prodhim gjithë linjën e motorëve V8 Hemi për markat amerikane, përfshirë versionet 5.7 litra, 6.2 litra me kompresor, dhe 6.4 litra. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat