​Punëtorët nuk lënë pronarët të mbyllin fabrika të VW-së në Gjermani

Auto

​Punëtorët nuk lënë pronarët të mbyllin fabrika të VW-së në Gjermani

Më: 15 maj 2026 Në ora: 19:04
Foto ilustrim

Fabrika të Volskwagenit në Gjermani nuk do të mbyllen.

Kështu të paktën besojnë përfaqësues të sindikatës së fuqishme gjermane të industrisë së prodhimit, IG Metall, dhe këshilli i punëtorëve të VW-së.

Natyrisht, të gjitha lokacionet do të mbeten të hapura”, thuhet në një deklaratë të përbashkët të publikuar të premten nga presidentja e IG Metall, Christiane Benner, kryetarja e këshillit të përgjithshëm të punëtorëve të VW-së, Daniela Cavallo, dhe drejtori rajonal i IG Metall, Thorsten Gröger, njofton dpa.

Përfaqësuesit e punëtorëve iu referuan marrëveshjes kolektive të arritur në fund të vitit 2024, kur pas negociatave të gjata, kompania dhe sindikata ranë dakord për një program ristrukturimi.

Brendi kryesor i VW-së planifikon të shkurtojë 35 mijë vende pune në Gjermani deri në vitin 2030. Në këmbim, u përjashtuan mbylljet e fabrikave dhe largimet nga puna për arsye operative.

Përfaqësuesit e punëtorëve thanë se ky kompromis nuk duhet të vihet tani në pikëpyetje.

“Nuk do të ketë mbyllje fabrikash me ne si Këshill i Përgjithshëm i Punëtorëve dhe IG Metall”, thuhet më tej në deklaratë.

Këshilli i Punëtorëve dhe sindikata insistuan për inovacion në fusha të reja të biznesit të prodhimit të automjeteve. Ata thanë se nëse modelet ekzistuese të biznesit “nuk do të jenë më plotësisht të qëndrueshme në të ardhmen e afërt”, atëherë “thjesht duhet të gjenden” modele të reja.

Së fundmi ka pasur spekulime mbylljen, në një të ardhme jo të largët të fabrikës së VW-së në Osnabrück, e cila ka rreth 2,300 punëtorë.

Prodhimi i modeleve Porsche që ndërtoheshin në këtë vend përfundoi në fund të vitit të kaluar, ndërsa prodhimi i VW T-Roc Cabrio do të ndalet gjithashtu në mesin e vitit 2027.

Aktualisht nuk ka ende ndonjë kontratë të re për fabrikën, megjithëse ka spekulime se kompani të industrisë së mbrojtjes mund ta marrin atë në menaxhim.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat