Policia e Marokut ka përdorur kamionë me ujë në orët e para të së dielës në Rabat për t’i shpërndarë mijëra mësues që po protestonin për kushte më të mira të punës.
Autoritetet u munduan t’i japin fund tubimit të rreth 15 mijë mësuesve përballë parlamentit, ku kishin planifikuar ta kalojnë natën para mbajtjes së një proteste edhe më të madhe, e cila është organizuar nga partitë opozitare majtiste, sindikatat dhe grupet e shoqërisë civile.
Pas dështimit të negociatave mes zyrtarëve policorë dhe mësuesve për t’u larguar nga vendi i grumbullimit, të cilat zgjatën disa orë, policia nisi t’i përdorë kamionët me ujë për t’i shpërndarë njerëzit e mbledhur para parlamentit.
Autoritetet kanë thënë se kanë ofruar autobusë për t’i dërguar mësuesit në vende tjera, ku do të mund ta kalonin natën. Sidoqoftë, ata e kanë refuzuar një gjë të tillë dhe kanë brohoritur “Liri, dinjitet, drejtësi sociale”.
Disa mësues kanë thënë se po protestojnë kundër përmbajtjes së kontratave që u janë ofruar nga qeveria. Ata po kërkojnë që të gëzojnë beneficione dhe pensione të njëjta me shërbyesit publikë.
Protestat e mësuesve në Marok kanë filluar para tri javësh. Nga 240 mijë mësues, 55 mijë janë zgjedhur sipas një sistemi të ri të kontratave, i cili ka filluar të zbatohet nga viti 2016.
Maroku po përballet me presion nga huadhënësit ndërkombëtarë për t’i zvogëluar shpenzimet për pagat e sektorit publik dhe për ta rritur efikasitetin në këtë sektor, shkruan “Reuters”.