Ministria e Shëndetësisë në Gaza thotë se një 21 vjeçar palestinez u vra nga forcat izraelite të shtunën në mëngjes pranë gardhit të kufirit.
Zyrtarët palestinezë thonë se Mohammed Saad u godit me armë zjarri në kokë.
Vrasja ndodhi disa orë para protestave masive të planifikuara për të shënuar njëvjetorin e protestave javore përgjatë kufirit. Ato shënojnë gjithashtu “Ditën e Tokës”, siç njihet nga arabët dhe palestinezët e Izraelit.
Në këtë ditë përkujtohet vdekja në vitin 1976 e gjashtë arabëve dhe palestinezëve që demonstronin kundër shpronësimit të tokave arabe dhe palestineze.
Egjipti po përpiqet të ndërmjetësojë një marrëveshje armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit që ka kontrollin e Gazës.