Ringjallja e luftës civile në Libi - Bota Sot
Ringjallja e luftës civile në Libi

Azia

Ringjallja e luftës civile në Libi

Më: 9 prill 2019 Në ora: 15:47
Tripoli, fotografi nga arkivi.

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, e dënoi fuqishëm përshkallëzimin e luftimeve pranë kryeqytetit të Libisë, Tripoli, dhe bëri thirrje për ndalimin e menjëhershëm të dhunës.

Thirrja pasoi një sulm ajror të forcave të komandantit Khalifa Haftar në aeroportin Mitiga, në lindje të Tripolit.

Guterres tha se "kërkon ndalimin e menjëhershëm të të gjitha operacioneve ushtarake, në mënyrë që të qetësohet situata dhe të parandalohet konflikti i përgjithshëm".

Thirrje për armëpushim bëri edhe shumica e komunitetit ndërkombëtar, përfshirë Shtetet e Bashkuara.

Forcat e Ushtrisë Kombëtare të Libisë, grup që udhëhiqet nga gjenerali Khalifa Haftar, nisën një ofensivë të enjten e kaluar, me qëllim marrjen e kontrollit të Tripolit nga Qeveria e kryeministrit Fayez al-Serraj, e cila mbështetet nga OKB-ja.

Kjo qeveri e unitetit e kontrollon kryeqytetin, por autoriteti i saj nuk njihet nga një administratë paralele në lindje të Libisë.

Gjenerali Haftar është aleat i qeverisë rivale në qytetin lindor Tobruk.

Kryeministri Al-Serraj e akuzoi atë për përpjekje për grushtshtet dhe tha se ushtarët e tij rebelë do të përballen me forcën.

Libia është shkatërruar nga dhuna dhe paqëndrueshmëria politike prejse sunduesi Muammar Gaddafi është rrëzuar nga pushteti dhe është vrarë në vitin 2011.

“Sulmi i Haftarit dhe i Ushtrisë Kombëtare të Libisë në Tripoli e ka intensifikuar luftën për pushtet, e cila e ndan vendin e pasur me naftë dhe gaz që nga përmbysja e Gaddafit në vitin 2011”, vlerëson agjencia e lajmeve Reuters.

Vlerësim të ngjashëm bën edhe agjencia Associated Press, e cila thotë se ofensiva e Ushtrisë Kombëtare të Libisë mund ta kthejë këtë vend në luftë civile.

Sipas BBC-së, shumë pak është besuar se Haftar do ta nisë këtë ofensivë – edhe pse ka kërcënuar me të për kohë të gjatë – sepse është menduar se pjesëmarrja e tij në bisedime për më shumë se një vit, do të blinte kohë derisa të arrihej një zgjidhje e re politike nëpërmjet negociatave dhe një procesi të mundshëm zgjedhor.

“Diplomatët janë të shqetësuar sepse mënyra dhe koha e sulmit nënkuptojnë se ai nuk ka gjasa të tërhiqet, nëse nuk mposhtet”, shkruan BBC, për të shtuar:

“Haftar beson se mund të sigurojë një vend në përbërjen e ardhshme politike të Libisë nëpërmjet mjeteve ushtarake”.

Gjenerali Haftar e ndihmoi Gaddafin të merrte pushtetin në vitin 1969, përpara se të armiqësohej me të dhe të shkonte në mërgim në SHBA.

Haftar u kthye në Libi në vitin 2011, pasi nisi kryengritja kundër Gaddafit dhe ai u bë komandant i rebelëve.

Ministria e Shëndetit Publik e Libisë tha se së paku 25 njerëz janë vrarë dhe 80 janë plagosur nga luftimet pranë Tripolit - përfshirë edhe civilë, edhe ushtarë.

Së paku 2,800 njerëz ikën nga dhuna, bënë të ditur Kombet e Bashkuara./Rel/

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...