Irani kërkon "veprime konkrete" për ruajtjen e marrëveshjes bërthamore - Bota Sot
Irani kërkon "veprime konkrete" për ruajtjen e marrëveshjes bërthamore

Azia

Irani kërkon "veprime konkrete" për ruajtjen e marrëveshjes bërthamore

Më: 17 maj 2019 Në ora: 13:39
Ministri i Jashtëm i Iranit, Mohammad Javaz Zarif

Ministri i Jashtëm i Iranit, Mohammad Javaz Zarif, i bëri thirrje Kinës, Rusisë dhe partnerëve të tjerë që të ndërmarrin "veprime konkrete" për ruajtjen e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, nga e cila SHBA-ja është tërhequr një vit më parë.

Zarif i bëri komentet me të arritur në Pekin, ku do të takohet me homologun e tij kinez, Wang Yi.

Kina është nënshkruese e marrëveshjes bërthamore, së bashku me Shtetet e Bashkuara, Britaninë, Francën, Gjermaninë dhe Rusinë.

Me këtë marrëveshje, Irani e ka kufizuar programin e tij bërthamor në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare.

Por, SHBA-ja është tërhequr nga pakti në maj të vitit 2018 dhe i ka rikthyer sanksionet kundër Iranit, në mënyrë të njëanshme.

Zyrtarët amerikanë duan negocimin e një marrëveshjeje të re.

Javën e kaluar, Teherani ka thënë se do të ndalojë së zbatuari një pjesë të marrëveshjes, nëse nënshkruesit e tjerë të saj, brenda 60 ditësh, nuk ndërmarrin hapa për ta mbrojtur Iranin nga sanksionet.

"Deri më tash, komuniteti ndërkombëtar ka bërë kryesisht deklarata, në vend se ta shpëtojë marrëveshjen", tha Zarif në Pekin.

"Hapi praktik është mjaft i qartë: Marrëdhëniet ekonomike me Iranin duhet të normalizohen. Kjo është ajo që marrëveshja e adreson qartë", shtoi ai.

Udhëtimi i Zarifit në Kinë pason vizitat e tij në Japoni dhe Indi.

Uashingtoni, i cili e konsideron Iranin si financues të terrorizmit ndërkombëtar, ka shtuar presionin kundër tij në ditët e fundit, duke rritur praninë ushtarake në Lindjen e Mesme dhe në Gjirin Persik.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...