Presidenti izraelit: Anti-semitizmi është sëmundje malinje - Bota Sot
Presidenti izraelit: Anti-semitizmi është sëmundje malinje

Azia

Presidenti izraelit: Anti-semitizmi është sëmundje malinje

Më: 23 janar 2020 Në ora: 15:45
Presidenti izraelit, Reuven Rivlin.

Presidenti izraelit, Reuven Rivlin ka falënderuar liderët botërorë për shprehjen e “solidaritetit me popullin hebre”, duke marrë pjesë në Forumin Botëror të Holokaustit në Jerusalem, që shënon 75-vjetorin e çlirimit të kampit të përqendrimit në Auschwitz të Polonisë.

Duke folur më 23 janar, në hyrje të ceremonisë, Rivlin ka thënë se “anti-semitizmi nuk përfundon me hebrenjtë” derisa anti-semitizmin dhe racizmin i ka quajtur “sëmundje malinje”.

Ai ka shtuar se “asnjë demokraci nuk është imune” ndaj kësaj sëmundjeje.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka folur për rëndësinë e përkujtimit të së kaluarës.

“Për mua dhe kolegët e mi, është shumë e rëndësishme të jemi sot në Izrael. Ne shohim përpjekjet e gjithë udhëheqësisë izraelite, që të ruajmë kujtimet e ngjarjeve tragjike të Luftës së Dytë Botërore”, është shprehur ai.

Ngjarja e mbajtur të enjten të Jerusalem vjen në kohën e rritjes së dhunës kundër hebrenjve në Evropë dhe gjithë botën.

Presidenti rus, Vladimir Putin, presidenti francez, Emmanuel Macron, princi Charles i Britanisë, nën-presidenti amerikan, Mike Pence dhe presidentët e Gjermanisë, Italisë dhe Austrisë kanë qenë në mesin e më shumë se 40 figurave të larta shtetërore që kanë marrë pjesë në këtë Forum.

Megjithatë, presidenti polak, Andrzej Duda ka refuzuar pjesëmarrjen, pasi nuk I është dhënë leje për të mbajtur fjalim.

Kjo pasi organizatorët izraelitë kanë thënë se vetëm katër vendet aleate në Luftën e Dytë Botërore, Shtetet e Bashkuara, Rusia, Franca, Britania dhe Gjermania, do të mund të mbajnë fjalime në këtë ngjarje.

Më shumë se 1 milion persona, shumica prej tyre hebrenj janë vrarë në kampin e dytë të Auschwizit, Birkenau, pas pushtimit të Polonisë nga Gjermanisë Naziste. Përveç tyre, gjatë Holokaustit kanë vdekur rreth 6 milionë hebrenj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat