Shkon në 81 numri i viktimave nga koronovirusi - Bota Sot
Shkon në 81 numri i viktimave nga koronovirusi

Azia

Shkon në 81 numri i viktimave nga koronovirusi

Më: 27 janar 2020 Në ora: 08:12
Ilustrim

Ka shkuar në 81 numri i personave të vdekur nga koronavirusi kinez. Qeveria e Kinës mori vendim për zgjatjen e pushimit zyrtar, ndërsa bizneset e mëdha qëndruan të mbyllura ose kërkuan nga stafi që të punojnë nga shtëpia në përpjekje për ta parandaluar përhapjen e virusit.

Kryeministri kinez, Li Keqiang, e vizitoi epiqendrën e virusit, qytetin Wuhan, duke dashur të japë sinjale se qeveria është duke u përgjigjur në mënyrë serioze ndaj krizës shëndetësore, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.

Numri i përgjithshëm i personave të infektuar u rrit për rreth 30 për qind dhe shkoi në 2744. Gati gjysma e tyre janë regjistruar në provincën Hubei, kryeqytet i së cilës është qyteti Wuhan.

Ndonëse disa raste janë konfirmuar edhe në më shumë se dhjetë shtete të tjera, në to ende nuk është regjistruar ndonjë rast fatal nga ky virus i rrezikshëm.

Liderët kinezë kanë kërkuar transparencë sa i përket të dhënave për personat e infektuar pasi pati dyshime për fshehje të gjendjes reale në terren nga agjencitë shtetërore, të cilat në vitet 2002 dhe 2003 ishin përpjekur t’i zvogëlonin shifrat e të sëmurëve nga virusi SARS.

Dihet se virusi i ri shkakton pneumoni te pacientët. Kjo sëmundje ka përfunduar në mënyrë fatale në disa raste. Zyrtarët kinezë thanë gjithashtu se virusi mund të përhapet edhe gjatë periudhës së inkubacionit, kur ende nuk janë shfaqur simptomat te personi i infektuar.

Shumë aeroporte në mbarë botën kanë marrë masa për parandalimin e virusit duke i kontrolluar udhëtarët që kanë temperaturë të lartë ose ndonjë simptomë tjetër që lidhet me koronavirusin.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat