Koronavirusi gjunjëzon Iranin: I kërkon ndihmë FMN-së për herë të parë që nga 1962

Azia

Koronavirusi gjunjëzon Iranin: I kërkon ndihmë FMN-së për herë të parë që nga 1962

Më: 13 mars 2020 Në ora: 00:27
Iran

Irani njoftoi të enjten se ka kërkuar ndihmë të menjëhershme financiare nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), i cili nuk i ka dhënë para që nga viti 1962. E kjo për shkak të koronavirusit.

“Banka jonë qendrore ka kërkuar qasje” në instrumentin e financimit të shpejtë të FMN-së, njoftoi në Twitter Ministri i Jashtëm iranian Mohammad Javad Zarif.

Ai i kërkoi Bordit të Guvernatorëve të FMN-së, i cili praktikisht nuk mund të marrë asnjë vendim pa pëlqimin e SHBA, t’i përgjigjet kërkesës së Iranit “në një mënyrë të përgjegjshme”.

Zarif tha se Irani kishte nevojë urgjente për ndihmë me pajisje mjekësore, lehtësira dhe komplete testimi për të luftuar përhapjen e  virusit.

Zarif postoi në Twitter, duke e etiketuar “urgjentisht”, një listë të nevojave të Ministrisë së Shëndetësisë iraniane dhe i bëri thirrje të gjithë botës që të ndihmojë në luftimin e infeksionit.

Duke theksuar se personeli i guximshëm mjekësor po lufton në vijat e para të luftës kundër virusit, ai tha se problemi më i madh për Iranin janë sanksionet, të cilat e bëjnë të pamundur marrjen e pajisjeve dhe kompleteve të nevojshme mjekësore për testimin e COVID-19.

“Virusi nuk i përzgjedh njerëzit…”, tha Zarif.

Lista e urgjencave e Ministrisë së Shëndetit të Iranit përfshin maska ​​mbrojtëse, doreza dhe respirator, ndër të tjera.

Në Iran, sipas të dhënave të fundit, 429 njerëz kanë vdekur dhe më shumë se 9,000 janë infektuar.

Më saktësisht, Guvernatori i Bankës Qendrore iraniane Abdolnaser Hemmati ka kërkuar ndihmë të FMN-së në shumën prej afër 5 miliardë dollarë në një letër më 6 mars, siç postoi në profilin e tij në Instagram.

FMN deklaron në uebfaqen e saj që Objekti i Financimit të Shpejtë është në dispozicion të të gjitha Shteteve Anëtare që kanë nevojë urgjente për ndihmë.

Drejtoresha Ekzekutive e FMN-së, Kristalina Georgieva konfirmoi më parë se vendet e prekura nga koronavirusi do të jenë në gjendje të marrin ndihmën e FMN-së përmes instrumentit.

Dy vjet më parë, Shtetet e Bashkuara braktisën në mënyrë të njëanshme marrëveshjen ndërkombëtare të 2015 për programin bërthamor të Iranit dhe rinovuan sanksionet ndaj këtij të fundit.

Megjithëse sistemi shëndetësor iranian nuk ndikohet drejtpërdrejt nga sanksionet amerikane, Teherani ka vështirësi të importojë pajisje mjekësore dhe të gjitha mallrat, pasi zinxhirët tregtarë shmangin bashkëpunimin me Teheranin.

Në fund të shkurtit, Sekretari amerikan i shtetit Mike Pompeo ofroi të ndihmojë Iranin në luftë me përhapjen e koronavirusit.

“Nëse ata duan të ndihmojnë, le t’i heqë sanksionet”, ishte reagimi i Teheranit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat