Kryeministri i Indisë, Narendara Modi, ka vendosur mbyllje kombëtare në përpjekje për të ngadalësuar përhapjen e koronavirusit.
Këto kufizime kanë hyrë në fuqi në mesnatë, sipas kohës lokale, dhe do të zbatohen për 21 ditë.
“Do të jetë një ndalesë e përgjithshme për dalje nga shtëpitë tuaja”, ka thënë Modi në adresimin e tij në media.
Ai ka kërkuar nga njerëzit që të mos bëjnë panik – por, turma të mëdha të njerëzve u panë shumë shpejt në të gjitha shitoret e kryeqytetit Delhi, ashtu si edhe në qytete të tjera.
Gazetarët thonë se akoma nuk është e qartë se si – ose nëse – njerëzit nuk do të lejohen që të dalin nga shtëpitë e tyre për të blerë ushqime dhe produkte të tjera të nevojshme.
Këto masa të reja vijnë pas rritjes së shpejtë të rasteve të reja me Covid-19 ditëve të fundit. Deri tani janë 519 raste të konfirmuara në Indi, derisa janë raportuar edhe 10 vdekje.
India – që ka një popullatë prej 1.3 miliardë banorë – i bashkohet një numri të madh të vendeve që kanë vendosur masa të njëjta.
Gati 400,000 persona janë të prekur me Covid-19 në botë, derisa rreth 17,000 persona kanë ndërruar jetë.