Mbi 200 mijë antena u vendosën, Kina njofton mbulim të gjithë vendit me rrjetin 5G - Bota Sot
Mbi 200 mijë antena u vendosën, Kina njofton mbulim të gjithë vendit me rrjetin 5G

Azia

Mbi 200 mijë antena u vendosën, Kina njofton mbulim të gjithë vendit me rrjetin 5G

Më: 23 maj 2020 Në ora: 08:10
Ilustrim

Në Kinë, ministria e Industrisë dhe Teknologjisë së Informacionit njoftoi se po intensifikohet puna për shtrirjen e plotë të rrjetit 5G në të gjithë vendin. Aktualisht janë në funksion mbi 200 mijë stacione të rrjetit 5G, por numri do të rritet në 800 000 deri në fund të këtij viti.

Wen Ku, zyrtar në këtë ministri, tha se teknologjia 5G ka nxitur zhvillimin e ekonomisë digjitale të Kinës, pasi integron teknologji të reja, si inteligjenca artificiale, realiteti i përforcuar dhe realiteti virtual:

"Teknologjia 5G, si një forcë e rëndësishme shtytëse e ekonomisë dixhitale, luan një rol të rëndësishëm në stabilizimin e investimeve, promovimin e konsumit dhe rritjen e nivelit industrial. Në fazën e ardhshme ne do të vazhdojmë ndërtimin e rrjetit 5G, do të përmirësojmë mjedisin për inovacionin dhe do t’i ofrojmë gjallëri zhvillimit ekonomik".

Tani Kina ka të paktën 50 milionë përdorues aktivë të shërbimit 5G. Po planifikohet gjithashtu që rrjetet 5G të mbulojnë të gjitha qytetet e nivelit të prefekturës në mbarë vendin brenda këtij viti.

Wen Ku tha se Ministria e Industrisë dhe e Teknologjisë së Informacionit do t’ia lehtësojë publikut mundësinë e përdorimit të shërbimeve 5G:

"Ne do të përqendrohemi në inovacion dhe do të çlirojmë energjinë e konsumit në treg. Do të mbështesim kompanitë e telefonisë celulare për të forcuar aftësitë e tyre të inovacionit dhe do t’u ofrojmë konsumatorëve më shumë lloje të telefonave celularë 5G. Po ashtu do të nxitim operatorët e telekomit të ulin gradualisht tarifat për paketat 5G."

Kina u ka dhënë zyrtarisht licenca për përdorimin komercial të 5G-së, tre operatorëve kryesorë të vendit, në qershor të vitit të kaluar.

Në shumë vende të botës, ka pasur diskutime mbi 5G dhe disa nuk pajtohen me instalimin e tyre.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat