Hong-Kong, miratohet ligji për sigurinë kombëtare, qortohet se shkel autonominë

Azia

Hong-Kong, miratohet ligji për sigurinë kombëtare, qortohet se shkel autonominë

Më: 1 korrik 2020 Në ora: 08:28
Foto

Organi më i lartë legjislativ në Kinë i ka dhënë dakordësinë ligjit të shumëdebatuar për sigurinë në Hong-Kong. Ligji mendohet se do shtypë protestat e dhunshme antiqeveritare që paralizuan vendin vitin e kaluar, por në Perëndim ai pritet me keqardhje.

Kina ka aprovuar një ligj për sigurinë e Hong-Kongut mes gjithë polemikave se ai cenon të drejtat e njeriut, lirinë dhe pavarësinë e qytetit gjysmautonom kinez.

Legjislacioni i kaluar të martën nga ligjvënësit në Pekin konsideron vepra penale tentativat për shkëputjen e qytetit nga Kina, marrëveshjet sekrete me aktorë të huaj dhe përpjekjet për rrëzim pushteti apo terrorizëm.

Të dyshuarit që i kryejnë këto shkelje rrezikojnë dënime nga 3 deri 10 vite burg, ndërsa gjykimi mund të transferohet edhe në organet kineze të drejtësisë.

Vendet si SHBA-ja, Britania dhe qeveri të tjera perëndimore kanë paralajmëruar sanksione, që Uashingtoni i zbatoi të hënën kundrejt Hong-Kongut për sa i përket eksporteve ushtarake.

“Ne ia kemi përsëritur vazhdimisht Kinës se kalimi i këtij ligji do kishte pasoja negative te besimi i bizneseve, te reputacioni i saj, te perceptimet e publikut të Hong-Kongut dhe ndërkombëtarisht,” u shpreh presidentja e Komisionit Europian, Ursula fon der Lajen.

Të martën, qytetarët në mbështetje të nismës kineze dolën me flamujt kombëtarë para selisë qeveritare të Hong-Kongut, ndërsa aktivistët për më shumë demokraci lëshuan slogane kundër.

“Sot si çdo kinez ndjehem shumë i lumtur, sepse qeveria miratoi ligjin për sigurinë kombëtare që i bllokon rrugën kujtdo spiuni antikinez dhe të tjerëve që shkaktojnë kaos në Hong-Kong.”

“Mendoj se ligji tregon thjesht se qeverisja sipas parimit ‘një shtet, dy sisteme’ nuk ka më efekt. Ligji hyn në fuqi kur shumica apo asnjë qytetar i Hong-Kongu nuk e di se për çfarë flet ai, kë ndëshkon dhe cilat janë aktet e ashtuquajtura të dënueshme.”

Legjislacioni për sigurinë e Hong-Kongut hyn në fuqi më 1 korrik datë, që përkon me 23-vjetorin e dorëzimit të ish-kolonisë britanike te Kina.

Hong Kongu gëzon të drejta ndryshe nga pjesa tjetër e territorit kinez, por prej vitesh aktivistët ankohen se liritë e tyre po kufizohen gjithnjë e më shumë nga Pekini, pakënaqësi që i kanë shprehur edhe nëpërmjet protestave të dhunshme antiqeveritare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat