Hong Kong, reagime pas arrestimit të pronarit të një gazete

Azia

Hong Kong, reagime pas arrestimit të pronarit të një gazete

Më: 12 gusht 2020 Në ora: 17:06
Hong Kong

Sulmet kundër aktivistëve pro-demokracisë në Hong Kong morën një kthesë tejet publike këtë javë. Autoritetet arrestuan në prani të kamerave televizive pronarin e një tabloidi ndërsa ndodhej në ambjentet e gazetës. Rasti u kritikua gjerësisht duke u cilësuar si një sulm ndaj fjalës së lirë.

Gazeta "Apple Daily" në Hong Kong u hap të martën me titullin: "Apple Daily duhet të luftojë”.

Judy Do, e cila tregton gazeta në një tezgë në rrugë, thotë se pas ngjarjes shitjet e gazetës u rritën.

“Lajmi i djeshëm bëri që çdo i ri të ketë dëshirë të lexojë "Apple Daily-n". Edhe ata që nuk blejnë gazeta", thotë ajo.

Titulli provokues vjen pas arrestimit nga autoritetet të pronarit të gazetës dhe manjatit të medias Jimmy Lai, i cili të hënën u bë i arrestuari i profilit më të lartë sipas një ligji të ri mbi sigurinë të miratuar nga Kina.

Në një konferencë shtypi në Pekin ministri i Jashtëm kinez vlerësoi zbatimin e ligjit nga autoritetet e Hong Kongut, një ligj që qeveria thotë se ka në shënjestër ata që dyshohen për përpjekje për shkëputje, terrorizëm apo komplot. Blerësit e gazetës "Apple Daily" thonë se ligji i ri është vetëm mburoja për të shtypur zërat pro-demokracisë në Hong Kong.

"Ambjentet e gazetës u bastisën nga një numër i madh oficerësh policie. Kjo situatë është shumë e rëndë dhe nuk duhet të kishte ndodhur. Në mbështetje të "Apple Daily-t", mora një taksi dhe erdha menjëherë në redaksinë e lajmeve të gazetës", thotë Calvin Jor, përkrahës i "Apple Daily-t".

“Dje policia ndërhyri brutalisht tek liria e shtypit. Të gjithë banorët e Hong Kongut me ndërgjegje duhet ta mbështesin "Apple Daily-n" si dhe të mbështesin Hong Kongun", thotë Kim Yau, përkrahëse e "Apple Daily-t".

Autoritetet ndaluan 71 vjeçarin Jimmy Lai nën dyshimet për komplot me forcat e huaja, një akuzë që mund të çojë në dënimin e tij me burgim të përjetshëm. Ligji kinez mbi sigurinë kombëtare u miratua në qershor. Vendet perëndimore e kanë dënuar atë. "Apple Daily" u shtyp në më shumë se 500 mijë kopje të martën, pesëfishi i kopjeve që gazeta shtyp zakonisht në një ditë./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat