Qeveria afgane konfirmon pjesëmarrjen në dy konferencat e paqes

Azia

Qeveria afgane konfirmon pjesëmarrjen në dy konferencat e paqes

Më: 13 mars 2021 Në ora: 16:40
Foto ilustrim

Qeveria afgane tha se do të marrë pjesë në dy konferencat e ndara të paqes, të sponsorizuara nga Shtetet e Bashkuara dhe Rusia.

Rusia ka ftuar disa shtete rajonale, në një konferencë që do të mbahet më 18 mars në Moskë. Ndërkaq, Shtetet e Bashkuara po mbështesin konferencën, e cila do të mbahet muajin e ardhshëm në Turqi.

Qeveria afgane dhe talibanët, palë të cilat janë të përfshira në konfliktin 20-vjeçar, janë ftuar që të marrin pjesë në këto dy ngjarje.

Këto konferenca kanë për qëllim që t’i japin shtysë bisedimeve të paqes, që mbahen në Katar, ndërmjet talibanëve dhe Kabulit zyrtar.

“Qeveria afgane do të marrë pjesë në konferencat në Moskë dhe Turqi”, tha këshilltari për siguri kombëtare i Afganistanit, Hamdullah Mohib.

Zëdhënësi i talibanëve, Mohammad Naeem tha se grupi militant ende nuk ka vendosur nëse do të marrë pjesë në këto konferenca.

Njoftimet për këto dy konferenca vijnë teksa më 1 maj është afati për tërheqjen e të gjitha trupave të huaja nga Afganistani. Tërheqja e trupave është një nga komponentët kryesorë të marrëveshjes së arritur ndërmjet SHBA-së dhe talibanëve në shkurtin e vitit 2020, në administratën e udhëhequr nga Donald Trump.

Administrata e re amerikane, e presidentit Joe Biden, aktualisht është duke e rishikuar këtë marrëveshje.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, në një letër dërguar presidentit afgan, Ashraf Ghani ka bërë një përpjekje të re për të shtyrë përpara përpjekjet për paqe, që udhëhiqen nga Kombet e Bashkuara dhe ka kërkuar nga Turqia që të jetë nikoqire e një takimi në nivel të lartë në mes të dy palëve “për të finalizuar marrëveshjen e paqes”.

Blinken, më herët gjatë këtij muaji, u shkroi letra liderëve afganë, duke u thënë se SHBA-ja po “e konsideron tërheqjen e plotë të trupave deri më 1 maj, teksa po shqyrtojmë edhe mundësi të tjera”./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat