Irani në zgjedhje presidenciale mes krizës ekonomike dhe tensioneve bërthamore

Azia

Irani në zgjedhje presidenciale mes krizës ekonomike dhe tensioneve bërthamore

Më: 17 qershor 2021 Në ora: 16:33
Iran

Iranianët u drejtohen qendrave të votimit të premten për të zgjedhur një president të ri. Por me ndalimin e pjesëmarrjes së vëzhguesve ndërkombëtarë, kritikët thonë se zgjedhjet nuk janë të lira dhe të drejta. Siç raporton korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell, pakënaqësia publike mund të çojë në një pjesëmarrje të ulët të votuesve.

Ekonomia e Iranit është zvogëluar për pjesën më të madhe të tre viteve të fundit. Kryesisht për shkak të sanksioneve të vendosura nga ish-Presidenti amerikan Donald Trump, pasi i tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja bërthamore me Iranin në 2018, duke akuzuar Teheranin për destabilizimin e rajonit - gjë që Teherani e mohon.

"Këto sanksione kanë ndikuar në ekonominë e Iranit në një mënyrë domethënëse, por mbi të gjitha ndikuan thellësisht tek të gjithë iranianët e zakonshëm që vuajnë nga rritja e çmimeve dhe nga një monedhë në rënie. Përkundër këtij sfondi, Irani përjetoi COVID-19ën me shkallën më të lartë të vdekjeve në Lindjen e Mesme", thotë Sanam Vakil, e organizatës “Chatham House”.

Në këto rrethana, iranianët shkojnë në votime të premten për të zgjedhur një pasardhës të Presidentit Hassan Rouhani. Vetëm katër kandidatë kanë mbetur pasi tre u tërhoqën të mërkurën - të gjithë të miratuar dhe të verifikuar nga Këshilli i Gardianëve të regjimit iranian. Tre janë konservatorë të vijës së ashpër. Vetëm njëri është reformator.

"Vetë regjimi, në çdo përsëritje të zgjedhjeve, në thonjëza, që nga viti 2009, ka eliminuar krahun e majtë të sistemit të tij politik, duke shtrirë më tej kufijtë e hapësirës së pranueshme. Me (Udhëheqësin Suprem Ali) Khamenein në krye, e kanë tërhequr sistemin më tej djathtas”, thotë Behnam Ben Taleblu, nga Fondacioni për Mbrojtjen e Demokracive.

Irani është tronditur nga një seri ngjarjesh që kanë formuar peisazhin zgjedhor. Vrasja nga Shtetet e Bashkuara e gjeneralit iranian Qassem Soleimani në janar 2020 nxiti një zemëratë të gjerë publike.

Ditë më vonë, forcat iraniane rrëzuan aksidentalisht një avion pasagjerësh të linjës ajrore ukrainase, duke shkaktuar protesta anti-qeveritare.

“Pra ka pasur një cikël ngjarjesh të ndërlidhura që kanë zbehur ndjenjat popullore dhe në nëntor 2019, protestat për rritjen e çmimeve të naftës u shtypën gjithashtu brutalisht. Kështu që iranianët e zakonshëm nuk janë veçanërisht të prirur të votojnë”, thotë zonja Vakil.

Kandidati favorit është 60-vjeçari Ebrahim Raisi, kreu i gjyqësorit të Iranit. Përfshirja e tij në të kaluarën në abuzimet e të drejtave të njeriut do ta bënte atë një president problematik për Perëndimin, thonë analistët.

"Ai është për fat të keq më i famshëm për mbikëqyrjen e të ashtuquajturit komision i vdekjes në fund të viteve 1980 që zbatoi dekretin e vrasjes nga Ajatollah Khomeini, që ekzekutoi mbi pesë mijë të burgosur politikë në Teheran", thotë zoti Taleblu.

Irani ka rritur ndjeshëm pasurimin bërthamor dhe besohet të jetë vetëm disa muaj larg prodhimit të materialit të mjaftueshëm për një armë bërthamore. Administrata e Presidentit Biden po shqyrton rifutjen në marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, por vetëm nëse Irani ndalon pasurimin. Irani thotë se Shtetet e Bashkuara duhet së pari të pezullojnë sanksionet.

Bisedimet në Vjenë janë duke vazhduar.

“Heqja e sanksioneve do të ishte një ndihmë e madhe që mund të kishte një efekt jashtëzakonisht domethënës për njerëzit e zakonshëm. Sidoqoftë, unë mendoj se iranianët sot janë më pak të angazhuar në marrëveshjen bërthamore dhe ushqejnë më pak besim ndaj Shteteve të Bashkuara ose vendeve evropiane", thotë zonja Vakil.

Të gjithë kandidatët presidencialë të Iranit mbështesin negociatat për të ringjallur marrëveshjen bërthamore.

"Ka pritshmëri që me përfundimin e zgjedhjeve, mbase do të ketë më shumë besim nga pala iraniane për të arritur marrëveshjen në Vjenë", thotë zonja Vakil.

Me Liderin Suprem Ali Khamenei në të tetëdhjetat, dorëzimi i pushtetit pasardhësit të tij pritet të ndodhë në vitet e ardhshme - duke i shtuar kompleks/VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat