Koalicioni qeverisës në Izrael humb shumicën

Azia

Koalicioni qeverisës në Izrael humb shumicën

Më: 6 prill 2022 Në ora: 09:43
Kryeministri i Izraelit, Naftali Bennett. Fotografi nga arkivi.

Një anëtare kyçe e partisë Yamina të kryeministrit të Izraelit, Naftali Bennett, tha të mërkurën se do të largohej nga koalicioni qeverisës. Kjo është një lëvizje e papritur që e lë Bennettin pa shumicë parlamentare.

Njoftimi i Idit Silman bën që koalicioni i kryeministrit Bennett, i përbërë nga tetë parti, duke filluar nga islamistët, nacionalistët e linjës së ashpër dhe liberalët, të ketë 60 ulëse në Parlament, aq sa ka edhe opozita.

“Kam tentuar të ndjek rrugën e unitetit. Kam punuar shumë për këtë koalicion”, tha Silman, një konservatore fetare, që ka shërbyer si kryetare e koalicionit.

“Fatkeqësisht, nuk mund të marrë pjesë në dëmtimin e identitetit hebre të Izraelit”, shtoi ajo përmes një deklarate.

Të hënën, më 4 prill, Silman kishte kritikuar ministrin e Shëndetësisë, Nitzan Horowitz, pasi ai kishte udhëzuar spitalet që të lejonin produkte të bukës pa tharm brenda objekteve të tyre gjatë festës së Pashkëve, në përputhje me një vendim të Gjykatës Supreme, që lejoi një gjë të tillë, pasi për shumë vite kishte qenë e ndaluar.

Sipas traditës hebreje, një produkt i tillë nuk lejohet në domenin publik gjatë Pashkëve.

“Po i jap fund anëtarësisë sime në koalicion dhe do të përpiqem që të vazhdoj të flas me miqtë e mi që të formojnë një qeveri të krahut të djathtë”, tha Silman.

“E di se nuk jam e vetmja që ndihem kështu”, shtoi ajo.

Ende nuk ka një koment nga Bennett, teksa partia e tij Yamina tani ka vetëm pesë ulëse në Parlamentin prej 120 vendesh.

Parlamenti izraelit, apo siç njihet me emrin Knesset, aktualisht është në pushim, dhe ende është e paqartë nëse opozita do të ketë mbështetje të mjaftueshme për të ngritur një mocion mosbesimi ndaj Qeverisë, duke bërë që shteti të mbajë zgjedhje e pesta brenda tre vjetësh.

Izraeli ka mbajtur katër palë zgjedhje në dy vjetët e fundit. Kriza politike u tejkalua vitin e kaluar kur Bennett dhe aleatët e tij arritën ta largonin nga pushteti ish-kryeministrin, Benjamin Netanyahu, i cili shërbeu si kryeministër për 12 vjet.

Netanyahu, tani lider i opozitës, e përgëzoi Silmanin për vendimin e saj dhe e tha se e “mirëpret atë në shtëpi të kampit nacionalist”./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat