Përshkallëzohen përleshjet në Iran pas vdekjes së një gruaje 22-vjeçare

Azia

Përshkallëzohen përleshjet në Iran pas vdekjes së një gruaje 22-vjeçare

Më: 23 shtator 2022 Në ora: 16:36
Foto ilustrim

Në Iran po përshkallëzohen përleshjet mes forcave të sigurisë dhe protestuesve pas vdekjes së një gruaje 22-vjeçare ndërsa mbahej në paraburgim nga policia. Disa senatorë amerikanë i thanë Zërit të Amerikës se i admirojnë protestuesit iranianë që qëndruan me guxim për të drejtat e grave përballë brutalitetit të qeverisë.

Protestat janë përhapur tani në qytetet e pothuajse të 31 provincave të Iranit.

Në një video me celular, të siguruar nga shërbimi persian i Zërit të Amerikës, policia iraniane shihet duke qëlluar ndaj protestuesve të mërkurën vonë, në qytetin veriperëndimor të Bukanit.

Protestat filluan më 16 shtator, pas vdekjes së 22-vjeçares Mahsa Amini, e cila u mbajt nga policia e edukimit moral të Iranit për mbajtjen e pahijshme të hixhabit. Grupet e të drejtave të njeriut thonë se të paktën tetë persona janë vrarë në demonstrata, megjithëse numri mund të jetë më i lartë.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price i tha Zërit të Amerikës në Nju Jork të enjten se dhuna është tipari dallues i regjimit iranian.

“Është një fakt shumë i thjeshtë. Mahsa Amini duhet të ishte gjallë sot. Arsyeja e vetme që ajo nuk është më, është për shkak të represionit brutal, që e ashtuquajtura policia e edukimit moral ushtroi ndaj saj. Dhe ne po shohim, që autoritetet iraniane po përdorin të njëjtin represion dhe brutalitet kundër qytetarëve të tyre”, tha zëdhënësi.

Gratë iraniane kanë shpërndarë video në mediat sociale ku shfaqen duke prerë flokët në shenjë proteste ndaj vdekjes së Aminit.

Nasiba Shamsaei, një aktiviste iraniane për të drejtat e grave, preu flokët e saj para konsullatës iraniane në Stamboll të mërkurën, duke brohoritur - "liri". Rregullat e qeverisë së Teheranit e bëjnë të detyrueshme që gratë të mbulojnë flokët në publik.

Presidenti iranian Ebrahim Raisi tha në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së të mërkurën se ai mbron me krenari të drejtat e popullit të tij.

Por Kryetari i Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë të Senatit, Robert Menendez tha se zoti Raisi duket se jeton në një univers tjetër.

“Vdekja e kësaj gruaje të re 22-vjeçare në duart e policisë së edukimit moral në Iran është një shembull, që të drejtat e njeriut nuk respektohen, që gratë nuk kanë vendin e tyre në shoqërinë iraniane. Nuk ka respektim të të drejtave të njeriut kur paratë nuk përdoren për të ushqyer njerëzit, por për të armatosur grupe të ndryshme që kryejnë akte terrorizmi”, tha senatori Menendez.

Zëri i Amerikës pyeti senatorin republikan Rob Portman në lidhje me komentet e Presidentit Joe Biden në Kombet e Bashkuara, gjatë së cilës ai tha se diplomacia është mënyra më e mirë për të zgjidhur problemet me Teheranin.

“Për mua, kryesorja është që pjesa tjetër e botës së lirë të bashkohet me ne. Pra, jo vetëm aleatët tanë në Lindjen e Mesme, shumë prej të cilëve janë shumë të shqetësuar për drejtimin e Iranit dhe atë që po bën Irani, jo vetëm në lidhje me armët bërthamore, por edhe në lidhje me eksportimin e terrorizmit në rajon. Të gjithë duhet të ngrihen së bashku”, tha senatori.

Tani për tani, bota është e përqëndruar në protestat e vazhdueshme të shkaktuara nga vdekja e Mahsa Aminit, duke përfshirë edhe një protestë në Nju Jork. Teherani thotë se ajo vdiq nga një goditje kardiake, por familja e saj thotë se kjo nuk është e besueshme./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat