Vdes lideri i degës së Al-Kaedës në Jemen

Azia

Vdes lideri i degës së Al-Kaedës në Jemen

Më: 11 mars 2024 Në ora: 17:20
Khalid Batarfi

Dega e Al-Kaedës në Jemen (AQAP) ka njoftuar së fundmi për vdekjen e liderit të saj, Khalid Batarfi, rrethanat e vdekjes së të cilit mbeten të paqarta.

Batarfi si shtetas saudit u bë udhëheqës i organizatës terroriste që nga viti 2020.

SHBA-ja e shpalli atë terrorist global në vitin 2018, dhe që atëherë ka vendosur një shpërblim prej 5 milionë dollarësh për kokën e tij, shkruan BBC.

Edhe pse AQAP nuk ka ofruar detaje rreth vdekjes së tij, analistja Mina al-Lami, e përshkroi atë si një person “të cilin e mori Zoti”, frazë kjo e cila përdoret për të përshkruar një person që ndërron jetë dhe jo dikë që vritet.

Bëhet e ditur se shefi i ri i grupit terrorist është zgjedhur Saad bin Atef al-Awlaki.

AQAP dikur konsiderohej nga SHBA-ja si dega rajonale më aktive dhe më e rrezikshme e Al-Kaedës.

Ajo kreu një seri sulmesh vdekjeprurëse në Jemen dhe Arabinë Saudite, si dhe komplote që synonin SHBA-në, por nuk rezultuan të suksesshme.

Grupi gjithashtu pretendoi se qëndronte pas sulmeve terroriste të vitit 2015 në Francë në të cilat u vranë 17 persona, si dhe një sulm në SHBA në vitin 2019 që la tre të vdekur.

Ekspertët e OKB-së vlerësuan se AQAP vazhdonte të mbetej kërcënim për Jemenin dhe rajonin, por ajo po përballej me “pengesa dhe humbje lidershipi”.

Edhe pse numri i saktë i luftëtarëve të organizatës është vështirë të matet pasi janë të përfshirë brenda fiseve lokale, thuhet të jenë me mijëra.

Shumica e udhëheqësve besohet se ishin në zonën Wadi Ubaydah, në provincën e Maribit, provincën Hadramawt, në Shabwa, dhe Abyan.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat