Konsumi botëror i verës në vitet e ardhshme do të regjistrojë rritje të konsiderueshme falë Kinës, duke u shndërruar në 2021 e dyta në renditje, pas SHBA-së, sipas një studimi të publikuar sot nga Vinexpo, organizator i pesë ekspozitave ndërkombëtare dedikuar verës dhe pijeve alkoolike.
Sipas këtij studimi pesëvjeçar (2016-2021) të kryer nga Vinexpo/IWSR (International Wine and Spirit Research), vlera e tregut kinez në vitin 2021 do të arrijë 23 miliardë dollarë, një rritje prej 53,3% në raport me vitin 2016 (15 miliardë dollarë).
Në terma të vëllimit, konsumi do të rritet nga 162 milionë arka (12 shishe, ose 9 litra) në 192 milionë ((+18,5%).
Në Kinë, shfaqja e njohurive dhe arsimimi po zëvendësojnë pasurinë si tregues i statusit social dhe vera pritet të jetë një nga përfituesit kryesorë të kësaj trendi, shprehet në një deklaratë Guillaume Deglise, CEO i Vinexpo.
Organizatori i panaireve thekson gjithashtu kultivimin e shijes tek të rinjtë, si edhe tek gratë pasi vera është një zgjedhje më elegante sesa birra.