Kosova me mbështetjen e ‘Dardanëve’ shpreson ta mposhtë Rumaninë

Basketboll

Kosova me mbështetjen e ‘Dardanëve’ shpreson ta mposhtë Rumaninë

Më: 22 shkurt 2019 Në ora: 15:56
Mulaomeroviq, Rugova dhe Berisha

Atmosferë e mirë para ndeshjes së Kombëtares së Kosovës kundër Rumanisë që do të luhet të dielën (me 24 shkurt) në Qendrën e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë me fillim në orën 20.30. Kjo ndeshje i takon Grupit B të parakualifikimeve për Eurobasket 2021. Drejtori i kombëtares së Kosovës, Granit Rugova ka folur për rëndësinë e kësaj ndeshje, si dhe i ka ftuar shikuesit që në numër sa më të madh të jenë të pranishëm në palestër.

Ai po ashtu e ka konfirmuar edhe praninë e tifozëve tanë të flaktë “Dardanët” të cilët të organizuar do të vijnë për t’i mbështetur basketbollistët tanë në duel me rumunët. “Secila ndeshje ka rëndësinë e vet, e tillë do të jetë edhe kjo me Rumaninë, andaj bëjë thirrje tek të gjithë adhuruesit e sportit që të dielën të vijnë në numër sa më të madh për të na mbështetur, sepse kemi nevojë për përkrahje sa më të madhe të tifozëve. ‘Dardanët’ do të jenë të pranishëm në palestër në mënyrë të organizuar dhe tani na ka mbetur që të gjithë së bashku të kontribuojmë për të arritur deri te fitorja.

Sa i përket ekipit, stërvitjet kanë shkuar shumë mirë, basketbollistët janë në formë të mirë. Jemi grumbulluar që nga data 18 shkurt dhe kemi punuar intensivisht në mënyrë që të komponohemi sa më mirë për duelin me rumunët. Ekipi është shumë i motivuar për këtë ndeshje, andaj ne hyjmë në fushë për të fituar”, tha Rugova.

Damir Mulaomeroviq, përzgjedhës i Kosovës, shprehet optimist. “Unë jam shumë i lumtur me atmosferën e shkëlqyeshme që është duke mbretëruar në Përfaqësuese. Djemtë kanë punuar me përkushtim të madh gjatë këtyre pesë ditëve dhe mund të them se për kaq ditë kemi arritur të bëjmë shumë gjëra së bashku. I kemi edhe tri ditë për tu përgatitur për këtë ndeshje të rëndësishme. E them ndeshje e rëndësishme, sepse për ne është e tillë. Ne duam ta fitojmë këtë ndeshje. Rumania ka një ekip shumë të mirë, ata të enjten mbrëma e kanë mposhtur Maqedoninë, dhe kjo do të thotë se ata me të vërtetë kanë një skuadër të mirë.

Kemi pak probleme të vogla me lëndime, por ato nuk duan justifikime, kështu që nuk jemi të fokusuar në këtë pjesë, por jemi të fokusuar në atë që të hyjmë në fushë dhe ta fitojmë ndeshjen me këta lojtarë që i kemi në dispozicion e që mendoj se e kemi një ekip mjaft të fortë.

Të dielën basketbollistët tanë do të dëshmojnë se janë luftëtarë të vërtetë dhe shfrytëzoj rastin t’i ftoj tifozët të vijnë në numër sa më të madh të dielën në palestër, sepse me të vërtetë kemi nevojë për përkrahjen e tyre, por edhe mendoj se këta djem e meritojnë përkrahjen e të gjithëve. Po ashtu shpresoj se të dielën do të jetë një ndeshje me basketboll cilësor, sepse si ekip kemi pasur disa zhvillime dhe e kemi vendosur një standard në ekip, dhe kjo është për tu lavdëruar për një Përfaqësuese të re si Kosova”, ka thënë Mulaomeroviq. 

Dardan Berisha, kapiten, tha se pritet lojë e fortë. “Për ne lojtarët e Përfaqësueses së Kosovës çdo stërvitje është me rëndësi, ndërsa ndeshja është e një rëndësie të veçantë, andaj besoj se 100% do të jemi të gatshëm për të dielën. Jemi duke stërvitur mjaft mirë, atmosfera është shumë e mirë, gjithçka po shkon sipas planit të paraparë. Lojtarët që për herë të parë janë pjesë e Përfaqësueses na kanë dhënë një energji të re dhe një motivim. E dimë mjaft mirë për çka jemi duke luajtur, do të luajmë para shikuesve tanë si vendas, kemi më dhënë gjithçka nga vetja për ta fituar këtë ndeshje, gjë e cila nuk ka me qenë lehtë.

Rumania të enjten në përballje me Maqedoninë ka dëshmuar një lojë shumë të mirë, pak është dashur që të fitojnë me mbi 14 pikë dhe kështu do t’iu kishin hapur rrugët për të luftuar në duel me ne për kualifikim tutje. Rumania ka eksperiencë, por ne si ekip çdo ditë po e ngritim nivelin e lojës tonë, po vijnë lojtarë të rinj të motivuar, andaj të dielën do të jemi të gatshëm 100% për fitore.

Kisha dashur që të bëjë thirrje tek të gjithë ata që e duan sportin të vijnë të dielën në palestër për të na përkrahur, si dhe ‘Dardanët’ në numër sa më të madh, përkrahësit tanë të flaktë, të cilët do të motivojnë shumë për ta fituar këtë ndeshje”, la thënë Berisha.  Kosova bën gara në Grupin B dhe në tri duelet e para ka pësuar disfata, dy herë nga Maqedonia dhe një herë nga Rumania, ndërsa e ka edhe një shans në muajin gusht për ta siguruar një vend për në kualifikime për Eurobasket 2021.

Pra, Maqedonia i prin grupit me 6 pikë, ku nga tri ndeshje ka po aq fitore, kurse Rumania dhe Kosova i kanë nga tri pikë secila, përderisa rumunët i kanë luajtur dy ndeshje deri më tani, dhe dy të tjerat do ti luajnë në muajin shkurt, së pari kundër Maqedonisë dhe më pas kundër Kosovës. Fituesi i grupit do ta siguroj një vend direkt për në kualifikime për Eurobasket 2021. Raundi shtesë i parakualifikimeve për Eurobasket 2021 do të zhvillohet prej 3 deri më 21 gusht, ndërsa emrat e kundërshtarëve Kosova do t’i mësojë në shkurt pas ndeshjes kundër Rumanisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat