Bashkimi me synime të mëdha

Basketboll

Bashkimi me synime të mëdha

Më: 3 shtator 2020 Në ora: 11:08
Bashkimi me synime të mëdha

Një nga klubet më të organizuara në konkurrencën e femrave është Bashkimi. Skuadra prizrenase edicionin e kaluar fitoi Kupën dhe Superkupën. Ishte lider me 14 fitore dhe vetëm një humbje, kur përfundoi stinori i kaluar, që për shkak të pandemisë u ndërpre.

Kryetari i Klubit, Rrahman Përteshi, në një intervistë për faqen zyrtare të FBK-së ka folur për gjendjen me pandeminë, përforcimet dhe synimet në stinorin e ri.

“Përhapja e pandemisë ka ndikuar shumë në buxhetin e klubit, por ne kemi punuar vazhdimisht për t’u organizuar sa më mirë për sezonin e ri. Pra, përkundër izolimit jemi munduar të punojmë në aspektet tjera. Gjithashtu, jemi shumë afër bashkëpunimit me disa sponsorë dhe këtë herë presion përkrahje më të madhe nga Komuna e Prizrenit si pasojë e pandemisë”, është shprehur Përteshi.

Klubi prizrenas ka vazhduar me lojtaret kryesore të edicionit të kaluar, derisa është përforcuar edhe me dy amerikane. “Sa i përket përforcimeve, mund të them se jemi 90% në përfundim të kompletimit të ekipit në çdo aspekt. Me përgatitje, lojtaret kanë filluar në mënyrë individuale për shkak se ende nuk kemi leje nga Institucionet përkatesë për të filluar me stërvitje kolektive. Shpresoj që sa më shpejtë të na lejohen stërvitjet për shkak se mendoj që jemi te vetmit që ende nuk po stërvitemi dhe jemi të kufizuar në çdo aspekt”, shtoi tutje ai.

Në fund foli edhe për synimet për edicionin e ri. “Në lidhje me ekipin mund të them se kemi lojtaret me të mira vendore në tregun e Kosovës dhe trajnerin (Fabian Gjuka) më të suksesshëm në basketbollin e femrave. Po ashtu, ekipit i kemi shtuar edhe dy amerikane që besoj se do të jenë ndihmë e madhe për të arritur synimet. Bashkimi synon që të ketë suksese në sezonin e ri si dhe të siguroj pjesëmarrjen në garat e FIBA-s.

Natyrisht, nuk duhet harruar edhe lojtaret e reja pasi kemi vazhduar me të talentuarat që i kemi pasur më herët dhe së fundi i kemi shtuar edhe dy tjera të reja. Krahas sukseseve, klubi ka politikë edhe zhvillimin e lojtareve të reja për të kontrbuar në përgjithësi në ngritjen e nivelit të cilësisë në basketbollin e femrave”, përfundoi Rrahman Përteshi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat