Dy ekipet që kryesojnë në konferencat e tyre kanë lënë prapa krizën e ndeshjeve të fundit.
Pas dy humbjeve radhazi, Golden State Warriors arrijnë të fitojnë.
Kampionët në fuqi mposhtën pa vështirësi skuadrën më të dobët të këtij sezoni në Konferencën e Perëndimit, Dallas Mavericks me rezultat 121:103.
Në sfidën e zhvilluar në Oracle Arena, Kevin Durant ishte më i miri për Warrirors me 24 pikë, i përcjellë nga Stephen Curry që shtoi 20, kurse Klay Thompson e mbylli ndeshjen me 18 pikë.
U deshën vazhdimet që të vendosnin fituesin në sfidën mes Boston Celtics dhe Washington Wizards, e cila në fund i takoi skuadrës mysafire nga Boston, me rezultat, 110:104.
Për t’ia siguruar fitoren e 40-të skuadrës së tij në këtë stinor, u përkujdes Kyrie Irving me 28 pikë, 7 prej të cilave vendimtare pasi i realizoi në 5 minutat e shtesës.
Nuk ndalen më Los Angeles Lakers. Kalifornianët përfituan nga dy mungesat e rëndësishme të Rusell Westbrook dhe Carmelo Anthonyt për të mposhtur lehtësisht në Staples Center, Oklahoma City Thunder me rezultat 106:81.
Caldwell-Pope me 20 pikë, Ingram me 19 dhe Randle me 17 ishin tre basketbollistët më të saktë për skuadrën e trajnerit Luke Walton.