FBK, fituese e një tjetër projekti të FIBA-s - Bota Sot
FBK, fituese e një tjetër projekti të FIBA-s

Basketboll

FBK, fituese e një tjetër projekti të FIBA-s

Më: 3 shtator 2018 Në ora: 15:47
Pamje nga një stërvitje

Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) është fituese e një tjetër projekti të FIBA-s. 

Kësaj radhe bëhet fjalë për projektin për zhvillim të basketbollit ndër vajza. Nëpërmjet këtij projekti Federata e Basketbollit të Kosovës synon të zhvilloj basketbollin ndër vajza në vendet rurale të Kosovës, apo edhe në qytetet ku nuk ka aktualisht ekipe të femrave të basketbollit.

Target i FBK-së në këtë projekt do të jenë vajzat e shkollave fillore, prindërit, arsimtarët e Edukatës Fizike, si dhe trajnerët e basketbollit.

Në kuadër të këtij projekti do të organizohen, kampe, turne, punëtori, klinika, në mënyrë që të arrihet edhe qëllimi i projektit, e që është masovizimi i basketbollit ndër vajza, por edhe krijimi i ekipeve të femrave në qytetet/fshatrat ku nuk ka basketboll të femrave, si dhe krejt në fund të arrihet që pas disa viteve edhe në konkurrencën e femrave të kemi liga prej kategorisë U12 e deri tek senioret.

Projekti është njëvjeçar, ndërsa FIBA Evropa do të ndihmoj FBK-në për ta implementuar këtë projekt me shumën prej 20,000.00 Euro, si dhe me 120 topa, ndërsa FBK pritet që këtë projekt ta realizoj në bashkëpunim me drejtoritë e sporteve të Komunave të ndryshme në vendin tonë, si dhe me Ministrinë për Kulturë, Rini dhe Sport, dhe Ambasadën e SHBA-ve në Prishtinë.

Motoja e këtij programi të FIBA-s për zhvillim të basketbollit ndër vajza është "Her World, her rules".

Duhet theksuar se që nga pranimi i FBK-së në FIBA në vitin 2015 ky është projekti i katërt që FBK aplikon dhe e fiton në FIBA për gjenerata të reja.

Në dy vitet e para FBK e ka fituar projektin për Zhvillim të Gjeneratave të Reja (Youth Development Fund) për grupmoshat U14/U15 në konkurrencën e meshkujve, derisa këtë vit të njëjtin projekt e ka fituar për të dyja konkurrencat, meshkuj/femra, dhe tani së fundi projektin për zhvillim të basketbollit ndër vajza.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...