Demolli: Nuk e meritojmë që të jemi në një thes me disa sporte!

Boksi

Demolli: Nuk e meritojmë që të jemi në një thes me disa sporte!

Nga: Kemajl Goca Më: 5 janar 2020 Në ora: 17:31
Latif Demolli

Boksi ka një mijë e një probleme dhe mezi e kanë përmbyllur edhe vitin 2019. Federata e Boksit e Kosovës ka shumë vështirësi dhe edhe vet e konfirmuan se kanë zero cent në konto të tyre. Zëdhënësi i Federatës së Boksit të Kosovës, Latif Demolli, njëherësh edhe gjyqtar ndërkombëtar, tha se synimet e tyre janë që me disa boksierë të shkojnë në Lojërat Olimpike – “Tokyo 2020”. Ai shprehu brengën për vështirësitë e mëdha që kanë si institucion, sidomos për anën financiare! Demolli flet edhe për kategorizimin dhe sipas tij, boksi nuk e meriton që të jetë në një thes me disa sporte tjera.

 
“Bota sot”: Boksi është para sfidave të mëdha në vitin 2020, çfarë i duhet më shumë?
Latif Demolli:
 Duhet qysh në fillim të janarit, boksierët cilësorë dhe boksierët që janë kandidatë për kualifikimet për Lojërat Olimpike, të dërgohen në kampe ndërkombëtare, që të kenë ushtrime të përbashkëta dhe sparigje në mes boksierëve cilësorë,  që janë kandidatë për normë olimpike. Pas kampit duhet më së paku një muaj deri një muaj e gjysmë që të janë në përgatitje të përbashkëta me ndonjë kombëtare për shkak të sparingjeve dhe këto janë përgatitje specifike para garës me 13 mars që mbahet në Londër, e vlefshme për kualifikimet për Lojërat Olimpike, aty kemi rastin së paku dy boksierë të kualifikohen, për arsye se gjashtë deri në tetë boksierë sipas kategorive kualifikohen direkt në Lojërat Olimpike.  

Domethënë se me dy fitore do të sigurohet kualifikimi për në Lojërat Olimpike, që është një rast i artë për ne që të shfrytëzojmë. Pas kësaj gare evropiane e kemi garën e fundit në Paris të Francës për kualifikime për Lojërat Olimpike, ku është edhe një rast tjetër. Për këtë turne gjasat janë më të vogla për arsye se këtu marrin pjesë boksierë nga e gjithë bota.

Image

Edhe pse si federatë jemi në gjendje të mjerueshme financiare,  megjithatë besoj dhe shpresoj që Komiteti Olimpik i Kosovës dhe Ministria e Sportit, do të na del në ndihmë dhe të na mundësojë këto kampe dhe përgatitjet që t’i përgatiten sa më mirë boksierët tanë që të mund të kualifikohen boksierët tanë në Lojërat Olimpike, që do të ishte një sukses për gjithë sportin e Kosovës. 

“Bota sot”: A jeni përcaktuar për boksierët që do të luftojnë për normë olimpike? 
Latif Demolli:
Selektori Shefki Bogujevci për meshkuj dhe Besim Brahimi për femra, tani veç e kanë caktuar numrin e boksierëve për këto kualifikime.  Se shpejti do të publikohen edhe emrat e boksierëve dhe boksiereve që do të marrin pjesë në kualifikime, që shpresoj se do të jenë të përgatitur maksimalisht. 

“Bota sot” Boksi po has në kushte të vështira, sa është vështirë të organizohen garat vendore apo edhe  të mobilizoheni për sfidat ndërkombëtare? 
Latif Demolli:
Për garat vendore po ia arrijmë qëllimin për arsye të ndihmës që kemi nga marrëveshja për sonsorizim, sipas memorandumit të nënshkruar me MKRS-në, po ia dalim që t’i organizojmë tri turnetë ndërkombëtare: “Pavarësia Lah Nimani”,  “Adem Jashari” , si dhe kampionatet individuale për të gjitha grupmoshat.  Këto gara i kryejmë fal mjeteve të huazuara që të marrim nga dashamirët e boksit dhe KOK-ut, por të cilat duhet t’i rikthejmë. 

“Bota sot”: Ka kohë që keni mbetur pa kryetar, ku së shpejti do të zgjidhet në Kuvendin zgjedhor, sa është vështirë kjo periudhë dhe a ka shkaktuar edhe mjaft telashe?
Latif Demolli:
 Besoj që federata nuk e ka ndërprerë punën dhe ka vazhduar me tempo të njëjtë dhe të sukseseve për arsye se në mbledhjen e parë të bordit është emëruar si kryetar i përkohshëm deri në zgjedhjen e të riut, Sylejman Voca.  Këtë tempo apo punë do të vazhdojmë deri në kuvendin e rregullt zgjedhor të FBOXK-së sipas rregullores së KOK-ut. Federata e Boksit e falënderon ish kryetarin Ramadan Selimi për punën e tij shumëvjeçare dhe bashkëpunimin me anëtarët e bordit të FBOXK-së. 

“Bota sot”: Krahas si zëdhënës jeni edhe gjyqtar ndërkombëtar, a kemi gjenerata të reja të gjyqtarëve në vendin tonë që premtojnë shumë?
Latif Demolli:
 Besoj dhe shpresoj se ketë vit se do të bëj një kërkesë në Federatën ndërkombëtare - AIBA,  që të dërgojë një komision për të hy në provime për të licencuar gjyqtar fillestar në kuadër të AIBA-së, ku në shoqatën e boksit tonë kemi katër a pesë gjyqtarë që shpresoj se do të shkojnë hapave të mi dhe të kanë mundësi të ndajnë drejtësinë edhe në arenën ndërkombëtare. 

“Bota sot”: Kemi një Donjeta Sadiku, boksiere me potencial, a shpresoni se do të kemi edhe emra të tjerë si dhe sa kanë interesim gjinia e bukur të merren me këtë sport?
Latif Demolli:
 Momentalisht është numër i kënaqshëm i vajzave të kyqura në boks, për momentin kemi afër 13 vajza, që merren me këtë lëmi, pesë a gjashtë prej tyre janë në konkurrencën e të rejave dhe kanë medalje evropiane nga kampionatet  e kadeteve të shkollarëve, shpresoj që së shpejti do të kalojnë në konkurrencën e senioreve, do t’i bashkohen Donjeta Sadikut dhe do të kenë sukses si në garat evropiane dhe botërore. 

“Bota sot”: Çfarë i duhet më shumë boksit?
Latif Demolli:
Boksit i duhet që të ketë më shumë përkrahje institucionale dhe të ketë dy-tre sponsorë, që federata të përmbush plan-programin strategjik që e ka dhe mos të ketë probleme me mjete financiare.  Sepse ka vite që po përballemi me këtë problem të madh dhe po ndikon edhe në arritjen e sukseseve, edhe pse mendojmë se pas xhudos jemi federata më e suksesshme me një buxhet shumë minimal.

“Bota sot”: A mendoni se padrejtësisht boksi është lënë në kategorinë C gjatë kategorizimit nga KOK-u, prej sporteve që premton të ardhmen edhe medalje?
Latif Demolli:
 Besoj se padrejtësisht na kanë renditur në kategorinë C edhe pse  jemi ndër sportet më të suksesshme në Kosovë dhe si federatë nuk i kemi reklamuar shumë rezultatet, por kemi treguar të vërtetën ku kemi fituar medalje, edhe boksi si sport është më specifik nga sportet tjera që marrin pikë më shumë se ne. Besoj se me këtë rregullore duhet ndryshuar disa prej këtyre pikave dhe mos të hyjmë me një thes me të gjitha sportet. Të ndahen sportet me prioritet nga sportet me rekreacione nga ata që e kanë përpiluar këtë rregullore. Besojmë se këtë vit i ofrohem kategorisë A sipas rezultateve më të mëdha që kemi gjatë vitit 2019.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat