Pezullohet turneu ku boksierja shqiptare synoi të sigurojë normën olimpike

Boksi

Pezullohet turneu ku boksierja shqiptare synoi të sigurojë normën olimpike

Më: 16 mars 2020 Në ora: 18:50
Donjeta Sadiku

Është pezulluar turneu kualifikues evropian për Lojërat Olimpike në boks, ka njoftuar Komiteti Olimpik i Kosovës.

Turneu është duke u mbajtur në Londër, ndërsa ka nisur dy ditë më parë. Në turne po merr pjesë edhe ekipi i Kosovës, ndërsa Donjeta Sadiku ka qenë në rrugë të mirë për të siguruar normën për “Tokio 2020”. Tre boksierë të Kosovës janë eliminuar tashmë.

Garat që kanë nisur më 14 mars do të vazhdojnë vetëm edhe sonte. Kështu ka vendosur një organ i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar që ishte përgjegjës për organizimin e turneut.

“Ruajtja e mirëqenies së sportistëve, zyrtarëve dhe të gjithë pjesëmarrësve është prioritet. Për këtë është marrë vendimi për të pezulluar ngjarjen sot, për shkak të rritjes së kufizimeve globale të udhëtimit dhe masës së karantinës, në mënyrë që t’iu lejohet pjesëmarrësve nga mbi 60 vende të rregullojnë udhëtimin e tyre dhe të kthehen në shtëpi”, thuhet në njoftimin e IOC-së.

Nuk janë dhënë informata tjera. Në fakt shumë gjëra kanë mbetur pa u saktësuar pas goditjeve që po merr sporti nga përhapja e koronavirusit. Në dyshim është edhe mbajtja në verë e Lojërave Olimpike.

Në Londër sot do të garojë boksieri i Shqipërisë, Krenar Zeneli. Donjeta Sadiku është dashur të boksojë të martën në 1\8.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat