Gjana kampioni i Ballkanit

Boksi

Gjana kampioni i Ballkanit

Më: 24 nëntor 2017 Në ora: 12:28
Elord Gjana

Quhet Taekwondo. Është disiplina koreane, e kthyer në artin marcial me numrin më të madh të praktikantëve në botë. Një sport që ka nisur të praktikohet gjërësisht edhe në Shqipëri dhe ku rezultatet nuk mungojnë.

I tillë është rasti i Elord Gjanës. 20-vjeçari që në dy vitet e fundit është shpallur kampion i Ballkanit në peshën deri në 54 kg për të rritur. Dy medalje të arta, fillimisht në Bullgari dhe së fundmi në turneun e zhvilluar në Turqi.

Janë emocione të provuara për herë të dytë. Ishte diçka e pabesueshme për mua, sepse asnjë tjetër nuk kishte dalë kampion në kategorinë senior, pra për të rritur. As vetë nuk po e besoja. Në ato çaste gëzova në maksimum saqë më dolën edhe lot.

Arritjet e rëndësishme ndërkombëtare janë motiv që sipas trajnerit Julian Caca puna të vazhdojë duke përcaktuar synime edhe më ambicioze.

Për katër vjet për një sportist kaq të ri nuk është pak të shpallet dy herë radhazi kampion Ballkani, të kalojë dy ture në Europianin e 21-vjeçarëve dhe të kalojë dy ture në kampionatin botëror në pjesëmarrjen e parë.

Sipas rezultateve që ka dhënë Lordi këto katër vjet e ka të gjithë potencialin e duhur për tu kualifikuar në Lojërat Olimpike. Kemi patur bisedime dhe takime me Komitetin Olimpik por edhe Ministrinë për të mbështetur këtë sportist, por edhe të gjithë talentet e tjerë që ka federata jonë.

Objektivat e kampionit të ri janë të qarta.

Për mua është Europiani që bëhet në Rusi dhe pas asaj vazhdojnë të tjerat. Njëhërë do të përkushtohemi te europiani që të dalim sa më mirë dhe të marrim medalje. Më pas do të synojmë Botërorin dhe Olimpiada sepse janë të gjitha rresht.

E ardhmja premton, edhe sepse taekwondo numëron afro 600 sportistë të regjistruar dhe disa dhjetëra të tjerë që e praktikojnë.

Shqiptarit taekëondo i përshtatet për temperamentin e tij, pasi është më i aftë të konkurrojë në sportet individuale dhe mbi të gjitha ato luftarake.

Taekwondo ka më tepër programe specifike për moshat e vogla, duke nisur nga 4 vjeç. Kemi shpresa se brenda një kohe shumë të shkurtër përveç medaljeve në Ballkan do të kemi medalje edhe në Europë dhe Botëror.

Disiplina apo vetëmbrojtja që mësohet prej moshës fare të re janë disa prej pikave të forta të arteve marciale, pavarësisht nëse në të ardhmen mund të jesh apo jo kampion.

Përveçse një sport që i jep fëmijës një kalitje dhe fizik shumë të mirë dhe të rregullt, i mundëson të zhvillohet dhe të rritet në mënyrë më normale. Ka një trajnim shumë të fort disiplinor dhe i jep vetëbesim që nesër fëmijët të kenë mundësi të vetëmbrohen.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat