Boksieri i mirënjohur shqiptar, Haxhi Krasniqi, është gati për sfidën kundër rusit Stanislav Kashtanov, që do të zhvillohet me 2 qershor në “WEE Arena” në Bad Tolz afër Munihut. Këshilltarit i Haxhiut, Luan Dreshaj, tha se rusi është një boksier me përvojë, por Haxhiun e sheh favoritë. Dreshaj bëri me dije se Kashtanov është ndër boksierët më të mirë në Rusi.
Luan Dreshaj
“Bota sot”: Luan Dreshaj, kush është në fakt Kashtanov?
Luan Dreshaj: Stanislav Kashtanov është një ndër më të mirët në Rusi në kategorinë super të mesme, ndërsa Rusia aktualisht njihet për boksier superior në mbarë botën. Kashtanov e ka një karrierë shumë të pasur amatore edhe profesioniste, si profesionist në moshë të re është bërë Kampion WBC i Botës për junior, pastaj ka fituar disa tituj internacional si dhe në vitin 2012 e ka fituar titullin WBA të Botës për një periudhe interime, sepse Kampioni në fuqi i asaj kohe nuk e ka mbrojtur titullin kohë të gjatë. Pra këtu kemi të bëjmë me një kundërshtar me cilësi të lartë botërore, sikur që ishin Abraham, Cleverly apo Brähmer.
“Bota sot”: A e sheh Haxhiun favoritë në të gjitha aspektet, po ashtu e ka edhe si përparësi se gjithmonë njihet me qetësi në ring?
Luan Dreshaj: Po, unë e shoh favorit Haxhiun dhe besoj si çdo herë në fitoren e tij.